Një ndryshim i bujshëm mund të ndodhë në botën e Formula 1 duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Lewis Hamilton, kampioni i botës në fuqi me Mercedes, mund të ulet në një nga makinat Ferrarit, e cila është gati të heqë dorë nga Sebastian Vettel për britanikun.
Hamilton ka edhe një vit kontratë me skuadrën e Mercedes, por sipas britanikes “Mirror”, në dy javët e para të muajit shkurt është vendosur të mbahet një mbledhje ku do të vendoset e ardhmja pas sezonit aktual, në të cilin Hamilton do të paguhet 40 milionë funte. Vetë britaniku ka zhvilluar bisedime paraprake me Ferrarin dhe ka lënë gjithçka të hapur për transferimin e tij te skuadra italiane.
Kontrata e Mercedes për të garuar në Formula 1 mbaron gjithashtu në vitin 2020 dhe për këtë arsye, ajo do të diskutojë bashkë me partnerin e saj “Daimler” për të mësuar nëse duhet të heqë dorë për disa kohë nga garat automobilistike, duke i kursyer dy kompanive 770 milionë funte, që do të linin të papunë rreth 10 mijë persona.
Meqë Formula 1 kërkon shpenzime shumë të mëdha, nuk është çudi që Mercedes të ulë ndjeshëm fondet edhe nëse vazhdon pjesëmarrjen e saj në gara, sidomos nëse Toto Volf, shefi i saj ekzekutiv, do të marrë post drejtuesi në bordin ekzekutiv të Formula 1. Kjo bën gjithnjë e më të mundur kalimin e Hamilton te Ferrari, e vetmja skuadër që mund të përballojë ekonomikisht kërkesat e anglezit e njëkohësisht t’i garantojë atij një makinë me të cilën të vihet në ndjekje të arritjes dhe thyerjes së 7 titujve botërorë të Schumacher.