Të premten në Rusi filluan zgjedhjet treditëshe presidenciale, të cilat pritet të zgjasin sundimin e presidentit Vladimir Putin edhe për gjashtë vjet të tjera.
Zgjedhjet zhvillohen në sfondin e një shtypjeje të pamëshirshme që ka gjymtuar median e pavarur dhe grupet e shquara të të drejtave të njeriut, gjë që i ka siguruar presidentit Putin kontrollin e plotë të sistemit politik.
Votimet po mbahen ndërsa agresioni i Moskës në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë. Rusia ka përparësi në fushën e betejës, ku po shënon fitore të vogla, qoftë edhe të ngadalta. Ukraina, ndërkohë, e ka bërë Moskën të duket e pambrojtur pas vijës së parë të frontit. Sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi kanë goditur thellë brenda Rusisë, ndërsa dronët e teknologjisë së lartë kanë vënë flotën e saj të Detit të Zi në pozicion mbrojtjeje.
Zgjedhësit do të hedhin votat e tyre nga e premtja deri të dielën në qendrat e votimit në të gjithë 11 zonat kohore të vendit, si dhe në rajonet e aneksuara ilegalisht të Ukrainës. Qendrat e para të votimit u hapën në rajonet më lindore të Rusisë, Chukotka dhe Kamchatka, në orën 8 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Zgjedhjet nuk paraqesin sfidë për presidentin 71 vjeçar Vladimir Putin i cili synon mandatin e tij të pestë. Kundërshtarët e tij politikë janë ose në burg ose në mërgim dhe më i rrepti prej tyre, Alexei Navalny, vdiq në një burg të Arktikut kohët e fundit. Tre kandidatët e tjerë në fletëvotim janë politikanë të profilit të ulët nga partitë opozitare që ndjekin vijën e Kremlinit.
Vëzhguesit nuk kanë shpresë se zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Përtej faktit se zgjedhësve nuk u është lënë mundësi e madhe zgjedhjeje, mundësitë për vëzhgim të pavarur janë shumë të kufizuara.
“Zgjedhjet në Rusi në tërësi janë mashtrim. Kremlini kontrollon se kush është në fletëvotim. Kremlini kontrollon se si ata mund të bëjnë fushatë. Për të mos folur për aspektet tjera të votimit dhe procesit të numërimit të votave,” tha Sam Greene, nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane me seli në Uashington.
Ukraina dhe Perëndimi e kanë dënuar mbajtjen e votimeve në rajonet ukrainase të pushtuara nga forcat ruse.
Në shumë mënyra, Ukraina është në qendër të këtyre zgjedhjeve, thonë analistët politikë dhe përfaqësues të opozitës. Ata thonë se Putini dëshiron të përdorë fitoren në zgjedhje si dëshmi se lufta e tij gëzon mbështetje të gjerë. Opozita, ndërkohë shpreson të përdorë votën për të demonstruar pakënaqësinë e saj si me luftën ashtu edhe me Kremlinin.
Kremlini ndaloi pjesëmarrjen në garë të dy politikanëve që synonin të konkurronin me një agjendë kundër luftës, duk u hequr votuesve çdo mundësi zgjedhjeje për “çështjen kryesore të agjendës politike të Rusisë”, tha analisti politik Abbas Gallyamov. i cili ka punuar si shkrues i fjalimeve të presidentit Putin.
Opozita ruse u ka kërkuar atyre që janë të pakënaqur me Putinin ose me luftën, të paraqiten në qendrat e votimit mesditën e së dielës, ditën e fundit të votimit, në shenjë proteste. Strategjia u miratua nga Alexei Navalny jo shumë kohë para vdekjes së tij.
“Duhet të përdorim ditën e zgjedhjeve për të treguar se ekzistojmë dhe jemi shumë prej nesh, jemi njerëz të gjallë, të vërtetë dhe jemi kundër Putinit. … Çfarë do të bëni më pas varet nga ju. Ju mund të votoni për çdo kandidat përveç Putinit. Ju mund të prishni fletën tuaj të votimit”, tha e veja e tij, Yulia Navalnaya.
Si dhe sa do të funksionojë kjo strategji, mbetet e paqartë.
Golos, grupi i njohur i vëzhguesve të pavarur të zgjedhjeve në Rusi, tha në një raport këtë javë se autoritetet “po bënin gjithçka që njerëzit të mos e vënë re vetë faktin e mbajtjes së zgjedhjeve”.
Grupi e përshkroi fushatën përpara votimeve si “praktikisht të pavërejtshme” dhe “më të kotën” që nga viti 2000, kur Golosi u themelua dhe filloi të vëzhgonte zgjedhjet në Rusi.
Vetë grupi është goditur nga pushteti. Bashkëkryetari i tij, Grigory Melkonyants, është në burg në pritje të gjykimit mbi akuzat që shihen gjerësisht si një përpjekje për t’i bërë trysni grupit para zgjedhjeve.
“Zgjedhjet aktuale nuk do të jenë në gjendje të pasqyrojnë gjendjen reale”, thuhet në raportin e grupit Golos. “Distanca mes qytetarëve dhe vendimmarrjes për fatin e vendit është bërë më e thellë se kurrë”./voa