Fier, makina inteligjente u pezullon patentën 93 shoferëve, “zhyt” me gjoba qindra të tjerë

Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit makina inteligjente ka monitoruar qarkullimin në Bypassin e Fierit.

Gjatë monitorimit janë konstatuar mjete të cilët lëviznin me shpejtësi që varion nga 146 km/h deri në 172 km/h.

Makina inteligjente e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore dhe radarët e tjerë që ka në dispozicion Policia Rrugore kanë skanuar 93 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 3 deri në 9 muaj, janë ndëshkuar me masë administrative nga 10.000 deri në 30.000 lekë të rinj, si dhe u janë zbritur nga 9 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Gjithashtu masa administrative u vendosën edhe ndaj 123 drejtuesve të tjerë mjetesh që makina inteligjente skanoi gjatë punës së saj, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit te lejes së drejtimit.

Policia e Shtetit i bën thirrje shoferëve që të zbatojnë rregullat e qarkullimit pasi puna e tyre në këtë drejtim nuk është aksion i përkohshëm, por do të vijojë pandërprerë, për të arritur qëllimin madhor, atë të rritjes së parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.

Të gjitha akset rrugore të vendit do të monitorohen me makinën inteligjente dhe me flotën e pajisjeve të reja të Policisë Rrugore, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, në rrugë.