E vërtetë apo AI? Çfarë vendi zë etika në gazetari në epokën e Inteligjencës Artificiale

Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e pandarë e jetës tonë dhe ka filluar tashmë të lehtësojë punën në shumë profesione.

Përhapja e AI në shumë fusha të jetës e ka bërë shpesh të vështirë dallimin e reales dhe joreales, aq sa njëra është ngatërruar me tjetrën me apo pa qëllim.

Në gazetari Inteligjenca Artificiale ka gjetur vendin e saj, duke sjellë lehtësi në raportim, natyrisht kur përdoret në mënyrën e duhur.

Mirëpo, deri në cilën pikë është etike përdorimi i Inteligjencës Artificiale në gazetari?

Në Shqipëri, kanë qenë disa raste kur janë përhapur lajme të pavërteta apo në dëm të një personi, pasi nuk është verifikuar fillimisht që përmbajtja ka qenë e krijuar me AI.

Një nga rastet më flagrante ka qenë një video e modifikuar nga Inteligjenca Artificiale, ku shfaqet një vajzë, e cila fillimisht u aludua se ishte personazhi i njohur i ekranit, Luana Vjollca.

Foto 1, Pamfleti

Videoja qarkulloi me shpejtësi në rrjet pa verifikuar më parë nëse personi në të ishte apo jo moderatorja e njohur.

U desh ndërhyrja e vet Luana Vjollcës, e cila publikoi një video si kundërpërgjigje, për të vërtetuar që ajo nuk ishte vajza në videon e mëparshme, me përmbajtje erotike.

Edhe pasi moderatorja doli publikisht dhe mohoi të ishte ajo vajza në video, asnjë nga mediat të cilat e publikuan nuk kërkuan ndjesë për lajmin e rremë.

Lajmi në fjalë jo vetëm cenoi privatësinë e personit në fjalë, por gjithashtu integritetin dhe dijnitetin.

Pra, në radhë të parë është dalë jashtë etikës gazetareske duke publikuar një lajm të paverifikuar dhe të pavërtetë, dhe së dyti, është cenuar privatësia e një personi.

Mirëpo rasti i Luana Vjollcës nuk është i pari që përmbajtje e krijuar me inteligjencën artificiale, përhapet si lajm i vërtetë.

Muaj më parë disa foto të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, të ish-presidentit Donald Trump duke u arrestuar, u përhapën masivisht nga media dhe në rrjet.

Foto 2, The Times

Inteligjencës Artificiale nuk i shpëtoi as Papa Françesku, fotot e të cilit ku ishte i veshur si një reper, u përhapën masivisht në rrjet.

Foto 3, Forbes

Veç këtyre, një eksperiment “i pafajshëm” i pak muajve më parë, tregoi se si në vend të verifikimit, mediat bien pre e AI, duke shpërndarë lajme të rreme.

Pak muaj më parë, Albeu.com vendosi të provokonte me një lajm të krijuar nga Inteligjenca Artificiale dhe shumë nga mediat online ranë pre e këtij “kurthi”.

Një personazh fotot e të cilit ishin krijuar nga AI, u cilësua si e dashura e personazhit të njohur të ekranit, Olsi Bylyku.

Në pak minuta lajmi ishte shpërndarë në disa media, të cilat kishin cituar ose jo burimin, por ndër të tjera nuk kishin verifikuar për të parë nëse lajmi në fjalë ishte i vërtetë.

Media në fjalë e zëvendësoi lajmin me një sqarim, por tashmë ishte përhapur kudo.

“Verifikimi i lajmit është një ndër problemet kryesore që kanë mediat online në vend. Mungesa e burimeve njerëzore nga njëra anë, por edhe ekspertizës së nevojshme nga ana tjetër, bën që shpesh herë, mediat online të kthehen padashje në burim dezinformimi duke shpërndarë lajme të paverifikuara.

Nisur nga kjo situatë që po zgjat prej kohësh , rrezikut gjithnjë e në rritje nga Inteligjenca Artificiale sa i përket manipulimit, por edhe për të dhënë një mesazh për të gjithë mbi nevojën e verifikimit, në redaksinë AlbEu bëmë një test përmes një “lajmi” të stisur mbi një lidhje të hamendësuar të aktorit të njohur Olsi Bylyku”, shkruhej në lajmin e ndryshuar.

Foto 4

Megjithatë, edhe pas këtij reagimi,jo të gjitha mediat e hoqën lajmin në fjalë, që nuk përmbante asgjë të vërtetë.

Të paktën 4 media e kanë ende lajmin, konkretisht Openneës.al, Newssport.al, Revista Class dhe Lajme.al.

Por sa etike ishte një publikim i tillë?

Ideatori i këtij “kurthi”, gazetari Emirjon Senja thotë se ideja lindi pas një bisede në redaksi rreth problemeve që Inteligjenca Artificiale po sjell dhe mungesën e verifikimit të lajmit.

Pse pikërisht Olsi Bylyku? Senja thotë se ishte një personazh që po përflitej mjaft ato ditë, teksa tregon procesin e publikimit të këtij lajmi.

“Pasi morëm masat përkatëse, prodhuam një imazh të një vajze simpatike nga AI dhe e publikuam si lajm duke thënë paraprakisht në një video të xhiruar para publikimit se çfarë po bënim. (Videon mund ta shikoni KËTU). Në minuta vërejtëm se lajmi “mori dhënë” dhe u publikua sikur të ishte i vërtetë pa bërë verifikimet”, tregon ai, teksa shton se pas eksperimentit të suksesshëm, u publikua që e gjitha ishte një test “për të treguar pikërisht problemet që sjell AI gërshetuar me lajmet e paverifikuara”.

Për Senjën AI do e bëjë më të thjeshtë gazetarinë nëse mediat verifikojnë. Megjithatë, në një terren mediatic si i Shqipërisë, situata mund të bëhet më problematike.

“Momentalisht në Shqipëri ende nuk ka filluar përdorimi masiv i AI, por duke njohur terrenin medoj se situata mund të jetë shumë e rrezikshme nëse gazetarët nuk sensibilizohen për problematikat që mund të sjelle AI”, shprehet Senja.

“Në çdo rast, audienca duhet të njoftohet se një përmbajtje është prodhuar me AI”, përfundon ai.

Për ekspertin e IT, Besmir Semanaj, efektet e AI në media mund të ndikohen nga faktorë të ndryshëm që nga mënyra si është përdorur, tek qëllimet e atyre që e përdorin.

“AI mund të përdoret për të krijuar deepfakes bindëse dhe media sintetike, ku video apo regjistrime audio me pamje realiste gjenerohen, shpesh duke manipuluar përmbajtjen për të paraqitur informacione të rreme. Ky fakt ka sjellë shqetësime në lidhje me mundësinë e dezinformimit dhe vështirësinë e dallimit mes përmbajtjes së vërtetë dhe asaj të manipuluar”, thotë Semanaj.

Ai shton se përhapja e Inteligjencës Artificiale ka kontribuar në përhapjen e informacioneve të rreme dhe ka rritur mundësinë për dezinformim, por nga ana tjetër kjo teknologji mund të ndihmojë nëse përdoret në mënyrën e duhur.

“Teknologjitë e IA mund të ndihmojnë në fusha të ndryshme, si automatizimi i detyrave, analiza e aseteve të mëdha të të dhënave dhe përmirësimi i proceseve të marrjeve të vendimeve. Megjithatë, ka shqetësime në lidhje me abuzimin e IA në krijimin dhe shpërndarjen e dezinformimit”, shpjegon Semanaj.

Për të minimizuar efektet negative të AI, si përhapja e lajmeve të rreme apo dezinformimi, Semanaj thotë se duhet të kjo duhet rregulluar me anë të legjislacionit.

“Politikanët e Bashkimit Evropian janë pajtuar mbi një legjislacion për të rregulluar inteligjencën artificiale (IA), duke shtruar rrugen  për standardet më ambicioze deri më tani për të kontrolluar përdorimin e kësaj teknologjie që do ndryshoje rregullat e lojës”, thotë ai.

Por si mund ta dallojmë nëse një përmbajtje është e vërtetë apo e krijuar nga Inteligjenca Artificiale.

Semanaj thotë se në rastin e imazheve duhen kontrolluar metadatat, të cilat imazhet e prodhuara me AI nuk i kanë.

Po ashtu, këto imazhe kanë elementë të pazakontë ose të panatyrshëm, si “objekte apo njerëz që shfaqen në pozita të çuditshme, ndriçim jo real ose perspektivë të deformuar.”

Semanaj thotë më tej se imazhet e prodhuara me AI, kanë tendencën të kenë një simetri perfekte dhe ngjyra joreale, shumë të theksuara.

“Kryeni një kërkim të imazhit në drejtim të kundërt duke përdorur kërkues të tilla si Google Images ose mjete të specializuara si TinEye. Nëse imazhi shfaqet në disa faqe të pa lidhura me njëra-tjetrën ky mund te jete nje material i krijuar nga AI”, shpjegon Semanaj.

Në mënyrë të pashmangshme duket se gazetaria, ashtu si shumë profesione të tjera, ka hyrë në epokën e Inteligjencës Artificiale.

Nëse kjo do të ndihmojë në një raportim më të saktë të lajmit apo nëse do të ngatërrojë të vërtetën me të pavërtetën, mbetet për t’u parë. Ajo që mund të thuhet me siguri është se AI është këtu dhe rregullat e lojës kanë ndryshuar ose do të ndryshojnë në një të ardhme që nuk është shumë larg.

 

 

 

 

 


Shtuar 18.12.2023 06:36