Dyshohet për grup të strukturuar kriminal në Policinë e Shtetit! Gazetarja zbardh detajet nga vjedhja e të dhënave TIMS

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja në lidhje me skandalin e sistemit TIMS, ku dyshohet se janë marrë të dhëna sensitive të qytetarëve shqiptarë.

Lala u shpreh se ambasada e SHBA-ve kërkoi nisjen e hetimeve pasi në mesin e personave që iu janë cenuar të dhënat janë edhe shtetas amerikanë.

Ajo theksoi se dyshohet së në marrjen e të dhënave janë përfshirë zyrtarë të Policisë së Shtetit, dhe bëhet fjalë për një grup të strukturuar.

“Në mesin e personave që iu janë cenuar të dhënat janë edhe shtetas amerikanë. Prokuroria nuk ka dhënë të dhëna në lidhje me zyrtarët apo personat që dyshohen të kenë ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin TIMS, gjithashtu nuk ka të qartë se përse këto të dhëna janë aksesuar në mënyrë të paligjshme dhe për çfarë do të përdoren.

Në Shqipëri janë nxjerrë të dhënat sensitive që kanë të bëjnë me qytetarët shqiptarë, fillimisht qeveria ngriti pretendimet se sistemet qeveritare ishin sulmuar nga hakera iranianë, Por rasti i fundit nuk ka të bëjë me hakërrim por me përfshirje direkte të zyrtarëve të Policisë së Shtetit por edhe persona të tjerë të paautorizuar që kanë ndërhyrë në sistemin TIMS duke marrë prej andej të gjitha të dhënat.

Ky skandal është i përmasave të mëdha. Ka dyshime për një grup të strukturuar kriminal dhe bashkëpunim të disa institucioneve për të ndërhyrë dhe për të pasur në duar të dhënat sensitive që kanë të bëjnë me hyrje daljet në territorin e republikës së Shqipërisë, por nga ana tjetër janë të gjitha të dhënat për personat që rezultojnë të kërkuar apo të shpallur në kërkim nga ana e policisë shqiptare dhe sigurisht dalja në publik e këtyre të dhënave do të dëmtonte çështje hetimore që kanë në duar Prokuroritë shqiptare, përfshirë SPAK”, tha gazetarja Klodiana Lala.


Shtuar 22.08.2023 20:44