Dritëshkurtësia e Perëndimit po ia bën më të vështirë veprimtarinë opozitës ruse

Nga Mikhail Khodorkovsky “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Për shkak të presionit nga regjimi, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, opozita ruse dhe lëvizja e saj kundër luftës po veprojnë në kushtet më të vështira të mundshme brenda vendit, dhe kushtet për të nuk janë më të lehta as jashtë Rusisë. Megjithatë, në frymën e autokritikës, duhet të pranojmë që nuk jemi aq efektivë sa do të donim në kundërshtimin e presidentit rus Vladimir Putin.

Në sfond, dëgjojmë zhurmën e vazhdueshme të regjimit, duke akuzuar kritikët për “shitjen e atdheut”. Ata janë tradhtarë, thotë regjimi, dhe jep herë pas here dënime shumë të gjata me burg. Miku im Vladimir Kara-Murza – një nga liderët e opozitës demokratike ruse – u dënua me 25 vjet në fillim të kësaj jave.

Megjithatë, ndërsa opozita ka kohë që është vënë nën shënjestër nga regjimi dhe disidentët kryesorë po mbyllen në burg, nga Ukraina ka vazhdimisht ankesa se kundërshtarët e Putinit dhe lëvizja kundër luftës nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta luftuar Kremlinin, se ajo ushqen “pikëpamje imperialiste”, në një kohë që në Perëndim po zhvillohet një diskutim i gjerë mbi fajin kolektiv të popullit rus.

Të gjitha këto pretendime rezonojnë fuqishëm brenda institucioneve evropiane dhe kanë çuar në kufizime të forta të vizave për rusët, mbyllje të llogarive bankare dhe diskriminim kulturor ndaj tyre. Për më shumë se një vit, Bashkimi Evropian ka ndjekur një politikë, e cila e sheh cilindo që ka lindur në Rusi fajtor dhe përgjegjës për Putinin dhe luftën e tij kundër Ukrainës.

Për më tepër, opozita po përballet edhe me mosmarrëveshjet e saj të brendshme në lidhje me drejtësinë e sanksioneve personale, kufijtë moralisht të pranueshëm të veprimeve të ndërmarra në mbrojtje të interesave të “rusit të zakonshëm” – që kryesisht mbështet Putinin, mbi nevojën e opozitës për t’u konsoliduar, dhe dëshirën apo jo ndaj shpërbërjes së Rusisë.

Megjithatë, mijëra e mijëra aktivistë kundër luftës kanë zgjedhur t’i kthejnë shpinën një jete të rehatshme, duke rrezikuar burgun, madje edhe vdekjen. Gjithsesi, lufta vazhdon dhe shumica e rusëve e mbështesin atë.

Edhe pse unë mendoj se në fund shoqëria ruse do të lodhet nga lufta, ndikimi tek qëndrimet publike të numrit të madh të të vdekurve dhe të gjymtuarve, ka rezultuar jo aq i madh sa pritej. Me shumë mundësi, tronditja fillestare e luftës dhe roli i dukshëm i agresorit është zëvendësuar nga narrativa deri tani e suksesshme e përhapur nga Kremlini, sipas së cilës Rusia po mbron veten, se sakrificat nuk janë të kota, dhe se nuk ka asnjë rezultat alternativ përveç fitores.

Një faktor i rëndësishëm në formësimin e opinionit publik – që u shfaq shumë shpejt pas fillimit të luftës – ka qenë rishpërndarja e burimeve nga “hambarët” shtetërorë dhe nga segmentet e pasura të shoqërisë që përfitojnë nga bujaria e qeverisë. Ndaj paratë po vërshojnë lumë në qytetet me një industri të vetme dhe në depresion ekonomik në formën e kontratave ushtarake.

Prej tyre përfitojnë punëtorët që janë të angazhuar në industrinë e mbrojtjes. Paratë po rrjedhin edhe për rekrutët dhe ushtarët me kontratë, të cilët si rregull vijnë nga rajonet dhe segmentet më të varfra të shoqërisë. Pagat që ata marrin tani janë 7-10 herë më të larta se ato që mund të merrnin në Rusi, ndërsa familjarët e atyre që janë vrarë apo kanë mbetur invalidë po paguhen më shumë sesa do të prisnin të fitonin gjatë gjithë jetës së tyre.

Të varfërve po u jepet gjithçka që u nevojitet – ashtu si gjatë Covid-19 – dhe Kremlini mund ta përballojë këtë falë fluksit të vazhdueshëm të ardhurave nga eksporti i naftës dhe lëndëve të tjera të para. Rrjedhimisht, po rritet mbështetja për Kremlinin, dhe publiku është më se i lumtur të anashkalojë tmerret në Ukrainë dhe të shmangë vetëfajësimin duke pranuar narrativat që po ushqehen nga propagandistët.

Dhe kjo do të thotë se opozita kundër luftës ka arritur të rrisë koston që shteti duhet të paguajë për të mbajtur nën kontroll zemërimin e publikut. Nga ana tjetër regjimi po goditet nga disa nga të rinj të e tij më aktivë dhe më të arsimuar që zgjedhin të largohen nga vendi. Ndërkohë, disa po kryejnë akte të vogla sabotimi brenda Rusisë. Fushata aktive kundër propagandës që po zhvillohet brenda vendit në lidhje me mobilizimin, po e alarmon edhe Kremlinin.

Për këtë arsye mobilizimi po shmang qytetet e mëdha dhe gjeneralët nuk po rekrutojnë aq sa duan. Situata për regjimin është përkeqësuar dukshëm edhe për sa i përket personelit inxhinierik, pasi shumë specialistë të IT-së janë larguar nga vendi. Mjerisht, qasja dritëshkurtër që mbajnë politikanët perëndimorë po e detyron opozitën ruse të punojë më shumë.

Për shembull, Komiteti Rus kundër Luftës ka nisur zbatimin e projektit “Kovcheg” (Arka), për të ndihmuar refugjatët dhe emigrantët rusë. Dhe në të kanë marrë pjesë mbi 100.000 njerëz. Shumica e valës së fundit që ikën nga vendi janë të rinj dhe të arsimuar. Ata nuk duan të vdesin në luftën e dikujt tjetër, nuk duan të ndihmojnë regjimin dhe as të ndihmojnë në kryerjen e masakrave.

Akuzimi i tyre se kanë lidhje me atë që po ndodh, heqja e mundësinë për të marrë viza, për të hapur llogari bankare dhe për të krijuar bizneset e tyre jashtë Rusisë është një gabim i madh. Disa prej tyre thjesht nuk mund ta durojnë më dhe kthehen në shtëpi, ku më pas nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të punojnë për Putinin, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi. Ndërkohë, kritikat se këta individë nuk po protestojnë apo e përmbysin regjimin, bazohen në konceptin naiv mbi totalitarizmin rus. Protesta paqësore në një vend demokratik, si Franca, është një formë efektive e agjitacionit elektoral, ndërsa protesta paqësore nën një autoritarizëm të butë – si në Ukrainën e ish-presidentit Victor Janukovich – mund ta përçajë elitën.

Sepse nëse protesta është mjaft e madhe, zgjedhja e vetme është të qëllosh ose të ikësh, ndoshta për të mos u kthyer kurrë. Nën autoritarizmin e ashpër, si ai në Bjellorusinë e Alexander Lukashenko, protesta paqësore zbehet shumë shpejt përballë gatishmërisë së regjimit për të vrarë.

Putin ka vrarë tashmë qindra mijëra njerëz. Dhe protesta paqësore që fillon të kërcënojë mbajtjen e tij në pushtet do të përballet me plumba, pa asnjë shans për fitore. Të gjithë e kuptojnë këtë. A do të thotë kjo se nuk ka asgjë për të bërë? Sigurisht që jo.

Janë ende sabotimet individuale, puna që duhet bërë individualisht, përgatitjet për një kryengritje të armatosur. A është e mundur të zëvendësohet në këtë mënyrë një regjim brenda natës? Dyshoj se jo. Por a mund t’i krijojë kjo të gjitha llojet e problemeve? Pa asnjë dyshim që po.

Çdo specialist që largohet nga vendi, apo që thjesht pushon së punuari për shtetin dhe jeton duke punuar në distancë me të ardhura të paguara në llogaritë bankare jashtë Rusisë, po i jep një goditje më të fuqishme aftësisë së Kremlinit për të ruajtur nivelin teknologjik të armatimit të tij.

Megjithatë, rusët duhet të vendosin në fund se në anën e kujt janë. Nuk mund të ketë mbështetje apo simpati për ata që duan të ulen në të dy anët e gardhit. Për shembull, duke kërkuar heqjen e sanksioneve individuale pa u distancuar qartë nga regjimi. Njerëz të tillë janë të rrezikshëm në kohë lufte.

Dhe unë u bëj thirrje njerëzve të mendojnë, jo për të ndëshkuar kolektivisht të gjithë rusët – gjë që nuk është as e drejtë dhe as pragmatike – por të mendojnë se çfarë mund t’i shkaktojë dëmin më praktik agresorit. Sa më i madh të jetë numri i atyre që kanë mundësinë të ndalojnë së punuari për regjimin, aq më shumë para do të përfundojnë larg Kremlinit, dhe aq më të vështirë do ta ketë Putin që të zgjasë luftën.

Kjo është arsyeja pse për opozitën një deklaratë publike se agresioni është i papranueshëm, që regjimi është kriminal dhe se Ukraina ka të drejtën e integritetit të saj territorial, duhet t’i paraprijë çdo diskutimi për heqjen e sanksioneve personale.

Shënim:Mikhail Khodorkovsky, ish i burgosur politik dhe ish-president i kompanisë ruse “Yukos Oil”.

/albeu.com

 


Shtuar 22.04.2023 14:38