Përkeqësohet situata në SHBA, shtim rekord i rasteve të reja me koronavirus

Për herë të parë që nga arritja e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, numri i rasteve brenda një dite në vend ka kaluar shifrën 50,000.

Sipas Projektit për Monitorimin e Covid-19 që operohet nga revista The Atlantic, Kalifornia pati 9.740 raste të reja, e pasuar nga shteti jugperëndimor i Teksasit me 8.076. Shteti juglindor i Floridës ishte i treti për nga numri i rasteve me Covid 19, me 6.563 raste dhe Arizona e katërta me 4.877 raste të reja.

Shtete të tjera me infeksione të reja rekorde njëditore të koronavirusit të mërkurën ishin Alaska, Xhorxhia, Luiziana, Karolina e Veriut dhe Tenesi.

Numri rekord i infeksioneve të reja u shoqëruar me një nivel të lartë të trajtimeve në spital në tetë shtete, dhe Teksasi njoftoi se pati 6.904 pacientë me Covid-19 të shtruar në spital të mërkuren. Situata ka krijuar një krizë në një nga shtetet më të mëdha të vendit, me disa spitale me kapacitete poshtuaj tërësisht të shfrytëzuara.

Shkalla në rritje e infeksioneve në Kaliforni ka bërë që Guvernatori Gavin Newsom të rikthejë kufizimet gjithëpërfshirëse të vendosura në mbarë vendin në fillimin e shpërthimit të virusit, të mbyllë lokalet, kinematë dhe të ndalojë shërbimet brenda restoranteve në 19 distrikte.

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio ka vendosur një pauzë në planet për të rihapur shërbimet brenda restoranteve për shkak të mundësisë së rritjes së infeksioneve nga dyndja e njerëzve në qytet. Guvernatori i Pensilvanisë, Tom Wolf, lëshoi një udhëzim për të gjithë shtetin të mërkurën, që e bën të detyrueshëm përdorimin e maskave.

Rreziqet e ‘qasjes së fragmentuar’

Shifrat e infeksioneve të reja të së mërkurës në Shtetet e Bashkuara u publikuan një ditë pasi Dr. Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, i tha një komisioni të Senatit se niveli aktual i infeksioneve të reja mund të dyfishohet, duke arritur në 100,000 raste në ditë, në qoftë se rritja aktuale e numrit të rasteve nuk vihet nën kontroll.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se 60 për qind e 10 milionë rasteve të koronavirusit në botë që nga dhjetori u regjistruan në muajin qershor, një shenjë se pandemia është përkeqësuar dhe nuk po ngadalësohet.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha të mërkurën se më shumë se 160,000 raste të reja po raportohen çdo ditë.

Ai tha se vendet duhet të ndjekin atë që ai e quan një “qasje gjithëpërfshirëse” në betejën kundër koronavirusit.

“Gjeni, izoloni, testoni dhe trajtoni çdo rast; gjurmoni dhe izoloni çdo kontakt; pajisni dhe aftësoni punonjësit e shëndetit; dhe edukoni dhe fuqizoni komunitetet për të mbrojtur veten dhe të tjerët”, tha zoti Tedros.

Ai shtoi se vendet që ndjekin një “qasje të fragmentuar” kanë një “rrugë të gjatë dhe të vështirë përpara”.

Tedros theksoi se përdorim i maskave shpëton jetë. Presidenti amerikan Donald Trump nuk është parë ende duke përdorur maskën në publik. Por pas disa muajve të hedhjes poshtë të idesë së përdorimit të masakave, Presidenti Trump tha të mërkurën se ai tani do të kishte “asnjë problem” që të përdorte një të tillë.

“Nëse do të isha në një hapësirë të ngushtë me njerëz, unë absolutisht do ta përdorja”, tha presidenti Trump për kanalin Fox Business.

“Unë mbështesë plotësisht përdorimin e maskave. Unë mendoj se maskat janë të mira. Në fakt, kam patur një maskë. Më pëlqeu pamja me maskë. Ishte një maskë e mirë, me ngjyrë të zezë dhe mendova se dukej mirë. Nëse njerëzit ndjehen mirë për këtë, ata duhet ta bëjnë atë (të veshin maskat)”.

Por, Presidenti Trump tha se ai nuk beson se përdorimi i tyre duhet të jetë e detyrueshëm dhe përsëriti bindjen e tij se Covid-19 thjesht do të “zhduket” në një moment. Por ekspertët mjekësorë thonë se besojnë se koronavirusi do të vazhdojë të jetë i pranishëm, ashtu si virusi që shkakton gripin.

Pretendimet për shkelje të rregullave të sigurisë

Në Australi, zyrtarët në shtetin e Viktorias kanë filluar një hetim ndaj programit katastrofik qeveritar të karantinës në hotele. Kanë dalë akuza për probleme të sigurisë në hotelet e përdorura për të izoluar vizitorët dhe australianët që ktheheshin në vend nga jashtë, përfshirë mungesën e trajnimit të duhur të personelit, keqpërdorimin e pajisjeve mbrojtës, dhe largimin e familjeve të izoluara nga hotelet.

Shkeljet e sigurisë janë lidhur me një rritje të infeksioneve të reja të koronavirusit në Melburn në javët e fundit.

Ministri i Shëndetësisë i Zelandës së Re, David Clark dha dorëheqjen të enjten pasi ishte në qendër të kritikave për shkeljen e kufizimeve të ashpra të vendit të vendosura në fillim të pandemisë në mars. Clark fillimisht dorëzoi dorëheqjen e tij tek Kryeministrja Jacinda Ardern në prill pasi ai ishte parë duke ngarë biçikletën dhe duke vizituar një plazh me familjen e tij, por Ardern e refuzoi atë, duke përmendur rolin e tij në përgjigjen e suksesshme të qeverisë për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit.

Kryeministrja Ardern hoqi gati të gjitha kufizimet në qershor pasi deklaroi se virusi ishte eliminuar, duke marrë lëvdata nga komuniteti ndërkombëtar për suksesin e Zelandës së Re. Por përpjekjet e qeverisë së saj kanë pësuar një goditje pasi udhëtarët që dolën nga vetëizolimi pasi hynë në vend rezultuan pozitivë në testin për koronvirus./ VOA


Shtuar 2.07.2020 16:52