OBSH: Në Shqipëri mund të ketë mbi 300 mijë të infektuar me COVID-19

Kreu i urgjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë thotë se vlerësimet më të mira tregojnë se, afërsisht një në 10 njerëz në të gjithë botën, mund të jetë infektuar nga koronavirusi.

Dr. Michael Ryan, duke folur të hënën në një takim të bordit ekzekutiv të OBSH-së me 34 anëtarë, mbi menaxhimin e COVID-19, tha se shifrat ndryshojnë nga zonat urbane në fshat, madje edhe midis grupeve të ndryshme, por që në fund të fundit kjo do të thotë se shumica dërrmuese e botës mbetet, në rrezik.

Vlerësimi i cili arrin në më shumë se 760 milion njerëz të infektuar, bazuar në popullsinë aktuale të botës prej rreth 7.6 miliardë larg tejkalon numrin e rasteve të konfirmuara dhe të vlerësuara nga OBSH dhe Universiteti Johns Hopkins, deri tani, që japin të dhënat zyrtare dhe ato janë: pak më shumë se 35 milion njerëz të infektuar në të gjithë botën.

Ekspertët në fakt kanë thënë prej kohësh se numri i rasteve të konfirmuara nënvlerëson shumë shifrën e vërtetë.

Mike Ryan, që njihet si eksperti më i mirë i urgjencës së OBSH-së tha se infektimet ishin në rritje në disa pjesë të Azisë Juglindore dhe vdekjet ishin në rritje në pjesë të Evropës dhe rajonit të Mesdheut Lindor.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë së vendit tonë, deri më 5 tetor janë rregjistruar 14.410 të infektuar. Sipas mesatares së pretenduar nga OBSH, kjo shifër është rreth 20 herë më e ulët. Shqipëria me një popullsi rreth 3 milion banorë, mund të ketë aktualisht, të paktën rreth 300 mijë të infektuar me Covid-19.

Prej muajsh Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor po raportojnë shifra zyrtare më të larta, krahasuar me vendet e tjera, bazuar në numrin e popullsisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përmenduar Europën Lindore dhe Mesdheun, si zonat më problematike, ku bën pjesë edhe vendi ynë, çka sipas saj, shifra e të infektuarve teksa thoë “vlerësimet më të mira”, mund të jetë edhe më shumë se 10 për qind, në këto vende.

Nëse shifra zyrtare e deklaruar deri tani me atë që pretendon OBSH është rreth 20 herë më e ulët (30 milion zyrtarja dhe 760 milion shifra e pretenduar nga OBSH), del që ajo përputhet plotësisht me raportin aktual në Shqipëri (14 mijë janë deklaruar zyrtarisht dhe mbi 300 mijë mund të jetë infektuar realisht).

COVID-19 – Statistika zyrtare në Shqipëri (5 Tetor 2020)

Raste të reja ditore 144

Të shëruar ne 24 orë 150

Humbje jete në 24 orë 4

Testime ditore 912

Testime totale 93021

Raste pozitive 14,410

Raste të shëruara 8,825

Raste Aktive 5,185

Humbje jete 400


Shtuar 5.10.2020 19:21