Bota në krizë sepse nacionalizmi është ideologjia dominuese e epokës sonë

Nga Gordon Brown “The Guardian

“Tashmë nuk ekziston më një komunitet ndërkombëtar!”- m’u ankua kohët e fundit një udhëheqës i shquar afrikan. Sipas tij, për këtë arsye edhe samiti i G20 që mbahet këtë javë do të dështojë, ashtu si Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shtatorit, takimet e tetorit FMN-Banka Botërore, dhe samiti i klimës COP27 këtë muaj, për të luftuar ndaj krizave globale të ushqimit, energjisë, borxhit, inflacionit, valutës, ndotjes dhe varfërisë.

Pikërisht në momentin që bota duhet të bashkëpunojë për të adresuar problemet globale, të cilat nuk mund të zgjidhen pa zgjidhje globale, ajo po përçahet jo vetëm nga konfliktet, por edhe nga një proteksionizëm në rritje. Dhe ndërsa nuk është e vështirë që për këtë gjë të fajësohet lidershipi i dobët, një gjeopolitikë e vjetëruar po na kërcënon një dekadë krize të përhershme.

Shtyllat e rendit botëror të pas Luftës së Ftohtë po bien një e nga një, ndërsa ne po lëmë pas epokën unipolare të hiper-globalizuar dhe neoliberale. Ata që përpiqen të ndërtojnë të tashmen sipas modelit të së kaluarës, e shohin tërësisht të papërgatitur për t’u përballuar sfidat e së ardhmes.

Siç kanë shkruar së fundmi ekspertët Muhamed El-Erian dhe Majkëll Spens, ne kemi nevojë për modele të reja për rritjen ekonomike, menaxhimin ekonomik në nivel kombëtar si dhe për bashkëpunimin global, raporton albeu.com.

Askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e shfaqjes së qendrave të reja të pushtetit në mbarë botën, rëndësinë në rritje të shërbimeve dhe ekonomisë dixhitale në kurriz të prodhimit tradicional; ndarjes midis të arsimuarve dhe të pasurve dhe mos arsimimin e të varfër, e cila po zëvendëson ndarjen e vjetër punëtorë krahu dhe jo krahu, si dhe kërcënimet serioze ekzistenciale ndaj planetit tonë.

Asnjë model rritjeje nuk mund të plotësojë dot nevojat e shekullit XXI-të pa marrë parasysh shqetësimet në rritje për barazinë mjedisore dhe ekonomike, dhe pa rivlerësuar rolin e financave. Dhe modelet e zhvillimit me paga të ulëta të udhëhequra nga prodhimi, dhe të orientuara nga eksporti, që deri vonë i shërbenin çdo vendi që po industrializohej, po tejkalohen jo vetëm nga ndryshimet demografike, por nga përparimet teknologjike.

Kjo do të thotë se më shumë mallra mund të prodhohen nga një forcë punëtore dukshëm më e vogël. E gjitha kjo është duke diktuar ndryshime të mëdha në gjeopolitikën tonë. Së pari, ndërsa po kalojmë nga një botë unipolare në një botë shumëpolare, asnjë vend i vetëm – pavarësisht madhësisë së ushtrisë apo ekonomisë së tij – nuk ka më fuqinë të na komandojë dhe kontrollojë të gjithë ne të tjerëve, por vetëm fuqinë për të propozuar dhe bindur.

Së dyti, tashmë nuk ka një konsensus se nga tregjet e hapura përfitojnë të gjithë. Hiper -globalizimi i 30 viteve të fundit nuk po i hap rrugën de-globalizimit apo ngadalësimit të tij, por një nivel globalizimi të përcaktuar nga zinxhirët e furnizimit ne vendet mbështetëse. Politikat që promovojnë privatizimin, reduktimin e rregulloreve dhe liberalizimin, të cilat u bënë të njohura gjerësisht si “Konsensusi i Uashingtonit’, kanë tani shumë pak mbështetës, madje edhe në kryeqytetin e SHBA-së.

Më e rëndësishmja nga të gjitha: nacionalizmi ka zëvendësuar neoliberalizmin si ideologjia dominuese e epokës tonë. Në rast se gjatë 30 viteve të fundit, ka qenë ekonomia ajo që nxiti vendimmarrjen politike, tani është politika ajo që po përcakton vendimet ekonomike. Shtetet po përdorin si armë politikat e tyre tregtare, teknologjinë, industrinë dhe konkurrencën.

Ekonomia me fitime të dyanshme po zëvendësohet nga rivalitetet me shumën zero të tipit “Unë fitoj, ti humb”, siç janë lëvizjet “Amerika e Para”, “Kina e Para”, “India e para” dhe “Rusia e Para”. Dhe teksa institucionet e sigurisë kombëtare po ngrijnë rezervat e bankave qendrore të regjimeve armiqësore dhe kufizojnë qasjen në sistemet globale të pagesave, luftërat tregtare, teknologjike dhe të kapitaleve vetëm sa do të përshkallëzohen, albeu.com.

Shenja e vetme shpresëdhënëse e bashkëpunimit është uniteti i NATO-s në lidhje me luftën në Ukrainën. Por ajo nuk duhet të na verbojë aq shumë sa të mos shohim shkallën e lartë të përçarjes globale, ku gati e gjithë Afrika, Azia, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme po qëndrojnë larg sanksioneve kundër Rusisë, dhe madje po ngurojnë të dënojnë krimet e saj të luftës.

Shumë pak njerëz mund të përfitojnë nga ky fragmentim, dhe pabarazia është thuajse kudo në rritje. Magazinat në Azi, Amerikë dhe Evropë kanë rezerva të mjaftueshme drithi për të ushqyer botën, dhe megjithatë nuk ka një plan të shpërndarjes globale të pasurisë, dhe Programi Botëror i Ushqimit i OKB ka vetëm gjysmën e buxhetit që i nevojitet për të parandaluar urinë.

Prodhuesit e energjisë po arkëtojnë fitime të paprecedenta, ndërsa konsumatorët grumbullojnë faturat e papaguara. Megjithatë, G20 nuk ka asnjë plan konkret për ta adresuar këtë sfidë. Në vitin 2009, kur recesioni ekonomik kërcënoi të shndërrohej në një depresion, u formua një grup udhëheqës i G20- ës, që e mbështeti ekonominë botërore me 1 trilionë dollarë.

Gjatë krizës së çmimeve të naftës të viteve 1970, u krijua G7-ta që përfshin Perëndimin dhe Japoninë, me një plan për të ridrejtuar tepricat e naftës dhe për të stabilizuar monedhat. Dhe në vitin 1945, për të rindërtuar një botë të shkatërruar nga kriza dhe për të çrrënjosur varfërinë dhe urinë, lindi Plani Marshall dhe një grup i ri institucionesh, nga OKB-ja tek FMN-ja dhe Banka Botërore.

Por edhe nëse sot nuk ka një Plan Marshall, dhe asnjë plan për t’u përballur me një botë po aq të rrezikshme, ne nuk jemi të pafuqishëm. Këtu rolin kryesor e luan sërish SHBA-ja. Duke vepruar përgjithësisht në mënyrë shumëpalëshe në një epokë unipolare, ajo duhet t’i rezistojë tundimit për të vepruar në mënyrë të njëanshme në një epokë shumëpolare.

Presidenti Biden dhe liderët e G20-ës duhet ta nxitin FMN-në që të zbatojë një plan veprimi shumëpalësh si ai i vitit 2009, për të koordinuar një nismë globale për një rritje jo-inflacioniste të ekonomisë.

Po ashtu, duhet të krijohet një sistem i forcuar i paralajmërimit të hershëm për të shmangur kërcënimet e ngjashme më atë të një dekade më parë. Ri-integrimi i zinxhirëve të furnizimit global mund të ndodhë vetëm nëse e fuqizojmë Organizatën Botërore të Tregtisë që të përballet me politikat proteksioniste.

Lehtësimi i borxheve është një hap thelbësor për të parandaluar degradimin e strukturës së brendshme shoqërore dhe politike të më shumë se gjysmës së vendeve në zhvillim. FMN-ja zotëron kapacitetin për të dyfishuar shpenzimet e saj aktuale, dhe për t’u dhënë hua edhe vendeve që kanë detyrime të papaguara, albeu.com

Vendet në zhvillim, që nuk janë fajtore për krizat globale të ndërlidhura midis tyre, të cilat po e shkatërrojnë prosperitetin e tyre, duhet t’i nënshtrohen më pak kushteve, dhe të kenë periudha më të gjata të shlyerjes së borxhit. G20 duhet të rekomandojë përdorimin e garancive dhe një përdorimin më efikas të kapitalit të Bankës Botërore për të dhënë jo miliarda, por triliona dollarë në investimet e nevojshme afatgjata për shëndetin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve për ndryshimet klimatike.

Dhe udhëheqësit duhet të shqyrtojnë mundësinë se si mund të ripërtërijnë institucionet e tjera ndërkombëtare që ndodhen në vështirësi; të arrijnë një marrëveshje më të gjerë për kufizimin e çmimeve të energjisë për të zbutur inflacionin; për përdorimin e të gjithë rezervave ushqimore për të shmangur zinë e bukës për ta ndihmuar Afrikën të bëhet më e vetë-mjaftueshme në këtë aspekt. Gabimet e së kaluarës na kanë futur në këtë shteg të rrezikshëm. Por nëse lidershipi dhe bashkëpunimi global ngrihen në lartësinë e sfidave, atëherë ne mund ta drejtojmë botën tonë drejt një destinacioni më të mirë.

Shënim: Gordon Brown, ambasador i OBSH-së për financimin global të shëndetësisë. Gjatë viteve 2007-2010 ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe.

/albeu.com

 

 


Shtuar 16.11.2022 09:48