Boçi takim me ekspertët e turizmit: Elbasani ka gjithçka që duhet, në 14 maj të votojmë ndryshimin

Kandidati për Bashkinë e Elbasanit i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi, ka zhvilluar një takim me ekspertët e turizmit për zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.

Gjatë takimit Boçi theksoi se 70 persona kanë punuar mbi atë që do të jetë platforma e tij zgjedhore dhe projekti më i mirë për Elbasanin e së ardhmes.

Ka vetëm një cilësor që përdoret për Elbasanin: Ai është i bukur! Sikur ne të përthithim në Elbasan një të pestën e gati 8 milion vizitorëve që hyjnë në Shqipëri në vit – objektiv i mundshëm, do të kishim jo më pak se 55 milion euro të ardhura për qytetarët. Synimi ynë në fakt është të arrijmë 4 herë më shumë brenda fundit të mandatit tim”. tha Boçi.

Duke folur për vizionin e tij mbi Elbasanin, Boçi zbuloi se ai ka nisur bisedimet me FEDERITALY – mbajtëse dhe promovuese e markës më të madhe në botë “Made in Italy”, për të ndërtuar menjëherë pas zgjedhjeve markën territoriale të mbrojtur dhe të kontrolluar “Made in Elbasan”.

Turizmi Tregtar ishte një risi në projektin e prezantuar nga Luçiano Boçi, i cili lajmëroi ndërtimin e një Parku Tregtar të ngjashëm me atë në Serravale të Italisë.

Elbasani ka një traditë të jashtëzakonshme në artizanat! Në shek. 17 ky qytet kishte 900 dyqane dhe 30 shoqata zejtarësh – esnafë. Ata kanë marrë pjesë në panaire ndërkombëtare qysh në shek.14. Muzeu i Gjallë i Zejeve do ta ringjallë këtë traditë të mrekullueshme. Në mbështetje të turizmit gjithëvjetor, Panari Rajonal do të ofrojë evente që fuqizojnë sektorët e interesit të veçantë në Elbasan”, vijoi më tej Boçi.

Mes të tjerash kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, përmendi nevojën urgjente për ringjalljen e Kalasë dhe rikthimin e gërmimeve antike në atraksion absolut të qytetit, krijimin e një Shtëpie ndërkombëtare të përkthimit në gjurmët e traditës së Elbasanit, ndërtimin menjëherë të tureve të turizmit fetar ndërsa foli në detaje për projektin e tour-it Egnatia, duke bashkuar Durrësin dhe Ohrin në një udhëtim ekzotik krejt të veçantë.


Shtuar 6.04.2023 16:41