“BE-ja s’po i trajton barabartë Kosovën e Serbinë”, Vetëvendosja: Lajçak i njëanshëm

Masat e paralajmëruara për Kosovën nga Bashkimi Evropian po vlerësohen se janë bërë për fajin e politikave të “pamenduara” nga kryeministri Albin Kurti. Kurse, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë Kosovën dhe Serbinë.

Nga opozita thonë se Kosova s’ka qenë asnjëherë në situatë më të rëndë politike se sa sot, ndërsa kërkojnë të gjendet një zgjidhje tjetër për situatën e krijuar në veri të vendit.

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk po i trajton barabartë dy shtete që janë në proces të dialogut.

Ajo thotë se institucionet e Kosovës kaherë i kanë prezantuar brengat në raport me Serbinë, por që nuk janë ndërmarrë masa për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe tendencës për ta larguar Serbinë nga Rusia.

“Masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian paraqesin në esencë pabarazinë elementare të trajtimit nga ana e Bashkimit Evropian të dy vendeve të cilat janë në proces të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Është bërë një kohë që ne kemi prezantuar brengat tona në raport me njëanshmërinë qoftë të ndërmjetësit apo edhe të procesit duke u akomoduar shumë e shumë kërkesa të Serbisë në një kontekst të zhvillimeve gjeopolitike për ta tërhequr Serbinë më shumë afër vetes për ta larguar nga Rusia”, ka deklaruar ajo.

Shefja e deputetëve thotë se këto masa mund të ndikojnë edhe tek shtetet tjera që duan ta shtrijnë sovranitetin në territorin e tyre. Ajo ka përmendur edhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe mediave.

“Përkundër që pamë zhvillimet e vazhdueshme edhe këto të fundit në raport me ngjarjet në veri edhe përgjegjësit që u panë dukshëm, përfshi edhe sulmet jo vetëm ndaj ushtarëve dhe policisë por edhe ndaj mediave të lira dhe deklaratat e presidentit Vuçiq që në njëfarë mënyre arsyeton sulmet në fjalën e lirë dhe në mediat, përfshi sulmet fizike, prapë BE e ndjen se është shumë e lehtë të ndikohet në Kosovën apo në presion mbi Kosovën në masa të cilat siç thonë ata do të jenë në periudhë të shkurtër dhe jo me efekt afatgjatë në rast se ka ndryshim në terren, gjë që nuk është vetëm në ndikim të masave por në fakt vendosja në një trajtim të sistemit të vlerave që është dekurajuese për demokracinë, është dekurajuese për shtetet të cilat mundohen të përmirësojnë funksionimin e brendshëm e këtu është edhe specifika e shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e republikës dhe ruajtja e ligjshmërisë së proceseve siç është ai zgjedhor”, thotë Kusari-Lila.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë se Kosova ka ende kohë që t’i ikë sanksioneve të BE-së. Për këtë, Shala kërkon veprime nga ekzekutivi.

“Puna e parë ne do të dëshironim që këto të mos fillonin të realizoheshin, besoj që ka edhe pak kohë që kryeministri të reflektojë dhe të kthehet në normalitet politik dhe t’i kthehet bashkëpunimit me ndërkombëtarë. Ka agjenda, ka mundësi e hapësirë që janë të gatshëm që urgjentisht të veprojnë në mënyrë që mos t’i ndodh kjo që pritet t’i ndodh Kosovës. Nëse ndodh, fatkeqësisht është dëm i madh social, ekonomik e politik sepse asnjëherë nuk ka ndodhur që Kosova të gjendet para aktit të tillë kur partnerët që e kanë ndihmuar historikisht në ngritjen e këtij shteti, sot të fillojnë me masa ndëshkuese”, thotë Shala, teksa shprehet se Kosova nuk i ka kapacitetet që ta ketë kundërshtarë Bashkimin Evropian.

“Gjendja jonë ekonomike si shtet i ri nuk e meriton dhe nuk mund ta përballojë që ta kemi kundërshtarë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është jologjike edhe në kuptimin njerëzor, por edhe politik e veçanërisht ekonomik, me pretenduar që mund t’i bëjmë ballë sfidave dhe sanksioneve evropiane. Andaj edhe një herë i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të reflektojë urgjentisht që kjo mos t’i ndodh Kosovës”, thotë tutje ai.

Ai, veprimet e kryeministrit Kurti në veri të vendit i konsideron populiste dhe në dëm të shtetësisë. Ai vazhdon t’i quajë të dëmshme marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër.

“Kryeministri duhet ta ketë të qartë që çdo rrugëtim i joni shtetndërtues në këtë punë, i lirisë së Kosovës është me partnerët dhe nuk guxojmë në asnjë rast ta rrezikojmë këtë sepse e kemi rrezikuar shtetin dhe lirinë tonë e zhvillimin tonë ekonomik. Gabimet janë krejtësisht politike të kësaj Qeverie e cila nuk ka qartësi as në veprim e as në parandalim dhe sot ne po jetojmë me politika populiste ekstreme të lokalizuara në një zonë të Kosovës, ku parimisht kryeministri ka pasur tjetër qëndrim derisa ka ardh në pushtet dhe sot. Mbi të gjitha, kryeministri tashmë është i vetëdijshëm, me marrëveshjet që i ka nënshkruar në Bruksel dhe Ohër ka gabuar rëndë, ka bërë marrëveshje në dëm të Kosovës, ka pranuar realisht një autonomi që nuk ka qenë asnjëherë temë e diskutimit, ka pranuar një autonomi tjetër për kishat ortodokse serbe dhe i gjendur para këtyre gabimeve, po orvatet ta zhvendos vëmendjen me krizat tjera e të cilat parimisht është duke i improvizuar dhe duke i shkuar përshtati shumë edhe Serbisë por veçanërisht kundërshtarëve të shtetit të Kosovës”, thotë Shala.

E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë se LDK-ja nuk e përkrah ekzekutivin për të qenë kundër partnerëve ndërkombëtarë.

Thotë se Kosova është dashur të mendojë për investime të reja e jo për sanksione.

“Në vend se të flitet për aplikime në organizata ndërkombëtare, të flitet për investime të reja, ne sot presim sanksione nga Bashkimi Evropian, kjo është tejet shqetësuese për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti do duhej të ulej dhe të dakordohej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe të qetësohej gjendja në veri sepse kështu nuk shkon”, thotë Krasniqi.

“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës e kemi përkrah kryeministrin në të gjitha proceset integruese por nuk e kemi përkrah që të jetë kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë dhe ai do duhej të ulej dhe të dakordohej me ta, në mënyrë që të ecin proceset integruese sepse fatkeqësisht procesi i dialogut po del të jetë i lidhur me krejt proceset tjera integruese, Këshillin e Evropës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian e organizatat tjera, sepse ne për dy vite e gjysmë nuk e kemi pas asnjë progres sa i përket politikës së jashtme, kemi pasur vetëm regres, e arsyeja kryesore është vetëm Kurti me aventurat e tij”, thotë tutje Krasniqi./Express


Shtuar 1.07.2023 10:08