Aksidenti tragjik që i mori jetën familjes Gushi, reagon nënkryetari i KMSH-së

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica  ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur ditën e sotme në Vlorë ku humbën jetën 4 pjesëtarët e familjes Gushi.

Në një postin në rrjetin social “Facebook”, Bica duke shpresuar që ky rast të ketë qenë i fundit,  shpjegon se zbatimi i rregullave të trafikut është detyra jonë qytetare por mbi të gjitha është edhe obligim fetar.

 

Postimi i plotë:

MOS VRIT! PASH HATRIN E ZOTIT!
Të dashur qytetarë!
Sot, ditën e premte të gjithë u zgjuam të trishtur me lajmin e hidhur, ku në një aksident rrugorë u shua një familje e tërë. Besoj nuk pati zemër shqiptari që e dëgjoi këtë lajm dhe të mos jetë mërzitur. Ky rast nuk ishte i pari por shpresojmë të ketë qenë i fundit.
Fatkeqësisht, në vendin tonë ndodhin shumë aksidente trafiku sidomos në muajt e verës. Padyshim që shkaqet janë të shumta si mungesa e arsimit të duhur, pamjaftueshmëria e sistemit penal, mungesa e infrastrukturës, alkooli, pagjumësia, shpejtësia e tepruar, papërgjegjshmëria apo dhe ndjenja e aventurës.
Zbatimi i rregullave të trafikut është detyra jonë qytetare por mbi të gjitha është edhe obligim fetarë.
Nëse i qasemi çështjes nga pikëpamja e jurisprudencës Islame, është e mundur të thuhet se e kemi të detyrueshme fetarisht t’i bindemi këtyre rregullave. Sepse këto rregulla, megjithëse nuk janë aq të sigurta sa “dy herë dy është e barabartë me katër”, prapë shprehin një siguri, e cila merret si rezultat i provave dhe hulumtimeve të gjata nga specialistë të kësaj fushe.
Për shembull, shpejtësia e tepërt është shkaku kryesor i aksidenteve në trafik. Në këtë aspekt, mund të themi se është e detyrueshme të respektohen kufijtë e shpejtësisë të specifikuar në qytet dhe jashtë qytetit. Prandaj, nëse tejkalohet kufiri i shpejtësisë dhe si rezultat ndodh një aksident fatal, ky aksident mund të konsiderohet si vrasje. Në jurisprudencën Islame, kjo quhet vrasje e ngjashme me shibh-i amd / kastë.
Sipas Abu Hanifes, shibh-i amd është të qëllosh dhe të vrasësh një person të pafajshëm me diçka që nuk zëvendëson një armë, në rastin tonë kjo është makina. Vrasja duke përdorur diçka të rëndë është në të njëjtën kategori. Sipas tij, vrasja e kryer me hekur ose diçka të rëndë në atë kuptim është shibh-i amd. Këto qasje bazohen në gjetjet që dolën si rezultat i provave dhe mendimeve të dijetarëve në kohën e tyre.
Nëse i shohim aksidentet e trafikut si pasojë e tejkalimit të normave përkatëse sipas këtyre parimeve, mund t’i quajmë si vrasje me vetëdije.
Përveç kësaj, një parim tjetër në themel të jurisprudencës Islame është se: “Ndërsa është e mundur të shmanget çdo veprim që dëmton të tjerët, personi që nuk e shmang atë dhe heq dorë nga kujdesi do të mbahet përgjegjës për rezultatin e atij veprimi”.
Edhe ky parim fetarë tregon qartë se ai i cili heq dorë nga kujdesi dhe nuk zbaton rregullat e vendosura nga specialistët si pasojë e një eksperience të provuar, është përgjegjës dhe mund të futet në kategorinë e vrasjes me vetëdije.
Në përmbyllje, duhet theksuar se besimtari është një person i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm. Por mbi të gjitha, këto parime janë të pranuara dhe nga mbarë shoqëritë botërore të sotme.
Prandaj, le të jemi të kujdesshëm në zbatimin e detyrave tona qytetare sepse në të kundërt, me dëshirë apo jo mund të bëhemi shkak për lëndimin e një të pafajshmi, gjë që ka përgjegjësi përpara tjetrit, ligjit dhe mbi të gjitha përpara Zotit.
Të dashur qytetarë besimtarë dhe jo vetëm, motra dhe vëllezër!
Jeta është e shenjtë, jeta është mundësia që Zoti na ka dhënë për të shpalosur dhuntitë e mrekullueshme me të cilat ai na i ka dhuruar.
Jeta është amaneti i Zotit qe na ka dhënë në këtë botë për të fituar botën tjetër. Është obligim i joni ta ruajmë atë. Njëkohësisht është savap i madh të mbrojmë jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. A nuk thotë vetë Zoti ynë në Kuran:“Kush shpëton një jetë njeriu është sikur ta ketë shpëtuar tërë njerëzimin” (Maide 32)
Le të bëhemi besimtareë të mirë, le të zbatojmë urdhërat e Zotit tonë, të mos shkaktojmë vetëvrasje, të mos shkaktojmë vrasje.


Shtuar 25.06.2021 20:44