24-vjeçari liron nga burgu të afërmin: Nxirrni dajon se kanabisi është i imi!

Një i ri është dorëzuar në polici në Sarandë duke nxjerrë nga burgu dajën e tij, 60 vjeçari Alim Abazi dhe duke deklaruar se sasia e kanabisit ishte e tija.

I riu Sabri Muçaj mori përsipër të gjithë fajin e 54 rrënjëve kanabis që u kapën më 9 gusht të këtij viti.

“Përsa i përket bimëve narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes, ato bimë i kam kultivuar unë dhe nuk ka dijeni asnjë person tjetër.

Duke qenë se nuk ishim në tokën e dajos tim, e kam mohuar deri në këtë fazë fajësinë për veten time me idenë se do t’i shmangesha përgjegjësisë penale.

Por sot deklaroj se këto bimë më përkasin mua dhe asnjë shtetasi tjetër. Bimët narkotike ishin mbjellur në tokë “shtet”. Dajoja im nuk ka dijeni e lidhje me këtë ngjarje,”- ka deklaruar Mucaj.

Rrjedhimisht, Gjykata e Sarandës ka lënë të lirë 60-vjecarin, i cili do të duhet të paraqitet dy herë në muaj si dhe ka lënë garanci pasurore prej 500 mijë lekësh të reja.

Vetë Abazi ka deklaruar se është vënë në dijeni në ambientet e paraburgimit të IEVP Sarandë nga nipi i tij Sabri Muçaj ku ky i fundit pas disa ditësh i ka treguar ngjarjen se bimët narkotike të kultivuara dhe të gjetura në afërsi të stanit të tij i përkasin nipit. /albeu.com/

 


Shtuar 29.10.2021 16:01