WhatsApp po zhvillon një funksion të ri për forcimin e privatësisë, përmes të cilit përdoruesit do të mund të dërgojnë tekste që hapen vetëm një herë dhe më pas eliminohen automatikisht.
Të lidhura
None found
Kjo mundësi është konstatuar në versionet testuese të aplikacionit për iPhone dhe Android. Pasi të shkruajnë tekstin, përdoruesit do të mund të përzgjedhin alternativën “Dërgo si mesazh që lexohet vetëm një herë”.
Mesazhi do të fshihet përgjithmonë sapo të hapet nga marrësi, pa lënë mundësi që përmbajtja të kopjohet, të përcillet ose të shpërndahet. Si masë shtesë mbrojtëse, WhatsApp po punon gjithashtu që gjatë shfaqjes së tij të pengojë fotografimin dhe regjistrimin e ekranit.
Deri tani, dërgimi i përmbajtjeve që zhduken pas leximit të parë zbatohej vetëm për fotografitë, videot dhe mesazhet zanore. Risia do ta shtrijë këtë funksion edhe te tekstet, ndërsa një mundësi e tillë ofrohet tashmë nga aplikacione të tjera, përfshirë Meta Platforms, Telegram dhe platforma të tjera komunikimi.
Ende nuk është bërë e ditur se kur funksioni do të publikohet zyrtarisht për të gjithë përdoruesit. Megjithatë, prania e tij në versionet beta sinjalizon se mund të përfshihet në një përditësim të ardhshëm.
