Një pjesë e shkëputur nga një raketë e SpaceX besohet se goditi aksidentalisht Hënën në orët e para të së mërkurës. Sipas ekspertëve, kjo përplasje nuk përbën asnjë rrezik për Tokën.
Të lidhura
None found
Objekti i humbur i përkiste një rakete të ripërdorshme Falcon 9 të SpaceX, e cila u lëshua më 15 janar 2025 dhe transportoi dy pajisje të projektuara për ulje në Hënë.
Me një gjatësi përafërsisht të barabartë me atë të një autobusi londinez dhe një peshë rreth 4 ton, pjesa konsiderohet raketa e dytë jofunksionale që dihet se është përplasur pa dashje në sipërfaqen hënore. Rasti i parë i ngjashëm ndodhi në vitin 2022 dhe përfshinte një segment rakete kineze.
Shkencëtarët mendojnë se goditja ndodhi herët të mërkurën, me një shpejtësi të përllogaritur prej 8,700 km/orë, ose shtatë herë më të madhe se shpejtësia e zërit. Ata parashikojnë se në skajin perëndimor të pjesës së satelitit të ndriçuar nga Dielli është krijuar një krater me diametër afro 27 metra dhe thellësi 5 metra.
Astronomët nuk mundën ta vërtetonin menjëherë përplasjen gjatë së mërkurës, pasi shkëndija e krijuar nga impakti zgjati më pak se një sekondë dhe ka të ngjarë të ketë qenë tepër e zbehtë për t’u dalluar.
Ende nuk ka pamje nga momenti i goditjes, sepse asnjë prej anijeve kozmike në orbitën e Hënës nuk ndodhej në pozicionin e përshtatshëm për ta vëzhguar drejtpërdrejt ngjarjen.
Në një njoftim për shtyp, NASA deklaroi se impakti nuk kërcënon Tokën. Agjencia do ta shfrytëzojë rastin për të mbledhur të dhëna mbi Hënën dhe për të përmirësuar metodat e gjurmimit të objekteve hapësinore.
Goditja e Hënës nuk ka qenë asnjëherë objektiv i SpaceX. Megjithatë, specialistët e hapësirës vlerësojnë se përplasja mund të ishte parandaluar, nëse faza e sipërme e raketës do të ishte drejtuar në një orbitë rreth Diellit.
Edhe pse kjo pjesë konkrete e mbetjeve hapësinore nuk i shqetëson shumë shkencëtarët, incidenti riktheu diskutimet për mbeturinat në hapësirë dhe rrezikun gjithnjë në rritje që ato krijojnë, ndërsa numri i objekteve të grumbulluara në orbitë vazhdon të shtohet.
Teksa Poli Jugor i Hënës po shndërrohet në kufirin e ri të eksplorimit hapësinor, shkencëtarët theksojnë nevojën për forcimin e monitorimit të mbeturinave dhe menaxhimit të trafikut, përpara mbërritjes së robotëve dhe astronautëve.
SpaceX, kompania e Elon Musk, renditet mes aktorëve kryesorë në përpjekjet për rikthimin në Hënë. Ajo po ndërton dy mjete ulëse hënore, të cilat do të testohen në etapën e ardhshme të programit hënor Artemis III të NASA-s.
Ngjarja ndodh gjithashtu në një periudhë të vështirë për SpaceX. Të mërkurën, kompania publikoi raportin e parë të të ardhurave që prej daljes në bursë. Ndonëse të ardhurat tejkaluan parashikimet e Wall Street, aksionet e saj kanë kaluar një ecuri të paqëndrueshme. Burimi: Euronews.
