Gara e Europës në Inteligjencën Artificiale

Europa dëshiron që firmat e saj startup të lidhin Inteligjencën Artificiale me superkompjuterë. Ideja është tërheqëse në teori, por e vështirë në praktikë

Nuk janë vetëm kompanitë e teknologjisë që po luftojnë për sukses në fushën e Inteligjencës Artificiale. Edhe shtetet duan të kenë përparësi ndaj njëri-tjetrit, shkruan The Economist. Ashtu si me kompanitë, pasuritë kombëtare janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë.

Nëse Amerika mund të krahasohet me një titan të teknologjisë, Europa nga ana tjetër, i ngjason më tepër një firme startup në një fazë të hershme.

Ndërsa Amerika krenohet me shumë grupime kompjuterike me më shumë se 20,000 çipa IA të nivelit të lartë, në Europë, një strukturë me 1000 procesorë, konsiderohet e madhe. BE-ja shpreson t’u japë një shtysë firmave startup të Inteligjencës Artificiale në kontinent, duke përdorur flotën e saj në rritje të superkompjuterëve.

Kjo ide ishte një nga temat e Samitit EuroHPC, i cili tërhoqi ekspertët europianë të superkompjuterëve në qytetin Antwerp më 18-21 mars.

Por kjo mbledhje tërhoqi më pak vëmendje sesa “Woodstock of AI” e organizuar në Silicon Valley nga kompania Nvidia, prodhuesi i pandalshëm i çipave të Inteligjencës Artificiale. Por për ambiciet europiane, takimi në Belgjikë mund të luajë një rol të rëndësishëm.

Pasi mbeti pas Amerikës dhe Kinës në fushën e superkompjuterëve, në vitin 2018, BE-ja prezantoi EuroHPC, një projekt në mbarë bllokun me synim zgjerimin e kapacitetit. Nëpërmjet kësaj nisme, pritet të shpenzohet një shumë prej gati 8 miliardë eurosh (8.7 miliardë dollarë) midis viteve 2018 dhe 2027, në një duzinë apo më shumë superkompjuterë të rinj.

 

Nga nëntë që janë ndërtuar deri tani, tre prej tyre renditen mes dhjetë makinerive më të fuqishme në botë. Ato kanë rritur pjesën e Europës në fuqinë globale superkompjuterike, nga 15% në vitin 2020, në 22% tani. Në shtator, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se ky stimul do t’i ofrohej pa pagesë kompanive startup europiane të Inteligjencës Artificiale.

Dikur, superkompjuterët shiheshin si fusha e shkencëtarëve që studionin gjëra të ndërlikuara si klima ose reaksionet kimike.

Një makinë tipike ishte një koleksion prej dhjetëra mijë njësive të përpunimit qendror me qëllime të përgjithshme (CPU), të ngjashme me ato që fuqizojnë kompjuterët personalë, por të krijuara dhe të lidhura nëpërmjet rrjeteve shumë të shpejta. Në ditët e sotme, disa superkompjuterë përmbajnë gjithashtu disa mijëra njësi përpunuese grafike (GPU).

Këta çipa të specializuar, që prodhohen kryesisht nga firma Nvidia, u krijuan fillimisht duke pasur në mendje videolojërat. Më vonë, falë një rastësie matematikore, u zbulua se ato mund të përdoreshin edhe për ndërtimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale.

Shpenzimet

Firmat e Inteligjencës Artificiale shpenzojnë rregullisht një pjesë të madhe të parave që mbledhin nga investitorët, për të blerë përpunues të tillë, ose për t’i marrë ato me qira nga ofruesit e shërbimeve cloud-computing. Dhe firmat amerikane startup, duke qenë se janë më të pasura, e kanë më të lehtë se firmat europiane që të sigurojnë burimet e nevojshme kompjuterike.

BE-ja dëshiron që makinat e EuroHPC ta ndihmojnë kontinentin për të përparuar në garë. Ajo planifikon që t’i pajisë këto makineri me GPU shtesë. Dhe synon të ndërtojë disa qendra të dhënash pranë superkompjuterëve, të cilat do t’i mundësonin firmave të shfrytëzonin fuqinë e tyre kompjuterike.

Një nga “fabrikat e para të Inteligjencës Artificiale”, siç i quan ato BE-ja, ka të ngjarë të ndërtohet në qytetin Jülich, në Gjermaninë Perëndimore. Një qendër kërkimore aty pranë, ku Gjermania dikur vuri në provë centralet bërthamore, tashmë është bërë shtëpia e dy superkompjuterëve të fuqishëm.

Nëse gjithçka shkon mirë, këtë vjeshtë do të shtohet një makineri e re prej 500 milionë eurosh, e cila do të jetë makineria më e fortë në Europë. Ajo do të jetë në gjendje të kryejë një miliardë llogaritje marramendëse, në çdo një miliardë të sekondës.

 

Sasia e fuqisë GPU të qendrës në Jülich, është e krahasueshme me atë që përdori firma e njohur amerikane OpenAI, për të trajnuar modelin e saj më të mirë të Inteligjencës Artificiale, të quajtur GPT-4. Për një firmë startup europiane, kjo është një arritje e madhe.

A mund të funksionojë kjo qasje në një shkallë të gjerë? Thomas Lippert, i cili drejton qendrën në qytetin Jülich, pati fat sepse i porositi njësitë GPU nga kompania Nvidia disa vite më parë, përpara se kërkesa për to (dhe çmimi) të arrinte majat.

Homologët e zotit Lippert që punojnë në superkompjuterët e tjerë, tani mund ta kenë më të vështirë të marrin çipa të tillë. Ka edhe alternativa të tjera përveç Nvidia-s, por shumica e prodhuesve të modeleve të Inteligjencës Artificiale, parapëlqejnë që të punojnë me platformën e njohur të kësaj kompanie.

Një firmë finlandeze e quajtur Silo AI, duhej të zhvillonte shumë kode përpara se të mund të trajnonte modelin e saj të Inteligjencës Artificiale në superkompjuterin Lumi, në Finlandë, që funksionon me njësi GPU të prodhuara nga kompania AMD, konkurrentja kryesore e Nvidia-s. Për më tepër, do të duhen disa vjet që përpjekjet e BE-së për të mbështetur prodhimin lokal të çipave, të japin frytet e veta.

Edhe nëse projekti EuroHPC do të mund të sigurojë disi harduerin e nevojshëm, mbeten sfida të tjera. Superkompjuterët nuk njihen mirë nga ekspertët e trajnimit të makinerive të përdorura në serverët e qendrave të të dhënave, thotë Anders Dam Jensen, i cili drejton projektin EuroHPC.

Edhe pse çdo fabrikë e Inteligjencës Artificiale do të ketë burime për t’i ndihmuar firmat që të përshtasin projektet e tyre për superkompjuterët, kompanitë më premtuese europiane të Inteligjencës Artificiale, mund të parapëlqejnë të shmangin telashet dhe ta braktisin këtë program.

Dhe ndërsa marrja e fuqisë kompjuterike është kryesisht një çështje parash, qasja falas në superkompjuterët europianë do të bëhet me rishikim nga kolegët, çka do të thotë se fituesit zgjidhen nga komiteti (shkencëtarët, për shembull, nuk janë shumë të lumtur që makineritë të lidhen me firma startup).

Gjithashtu është e detyrueshme që të bëhen publike rezultatet e punës së përdoruesve, një kërkesë që ndoshta do të kundërshtohet nga shumë aplikues.

Kjo mund të jetë arsyeja pse Mistral, një firmë franceze që merret me prodhimin e modeleve të Inteligjencës Artificiale, përdori një superkompjuter italian për të bërë disa eksperimente, por në fakt e trajnoi modelin e saj të fundit të Inteligjencës Artificiale, me ndihmën e firmës amerikane CoreWeave.


Shtuar 21.04.2024 09:35

Tags: , ,