Për më shumë se 60 vjet, Avtar Singh nuk arriti të mësonte se çfarë kishte ndodhur me nënën e tij biologjike.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, në një pjesë tjetër të botës, Nicci Dhamu kaloi vite duke kërkuar vëllain e madh, nga i cili nëna e saj ishte ndarë kur ai ishte ende fëmijë. ChatGPT do t’i jepte historisë së tyre një drejtim krejtësisht të papritur.
I lindur në Indi dhe i rritur nga gjyshërit, Avtar u nis drejt Kanadasë në moshën nëntëvjeçare për të jetuar me të atin. Në atë kohë, ai mendonte se gruaja që e mirëpriti atje ishte nëna e tij.
Vetëm pas disa vitesh Avtar zbuloi se ajo ishte njerka e tij. Ai mësoi gjithashtu se nëna biologjike quhej Savinder, por nuk mundi të gjente asnjëherë vendndodhjen e saj.
Përgjatë dekadave, ai kërkoi të dhëna në internet, në arkiva dhe përmes mediave, por të gjitha përpjekjet përfunduan pa rezultat.
Në maj të këtij viti, teksa ndodhej me pushime në Francë, Avtar vendosi të provonte edhe ChatGPT.
Ai kujton se mendoi se, pasi kishte shteruar çdo mundësi tjetër, mund t’i jepte një shans edhe inteligjencës artificiale, shkruan The Guardian.
Me informacionin e kufizuar që Avtar kishte për të ëmën, ChatGPT arriti t’i sugjeronte një shkrim për Savinder Kaur Nagi. Artikulli ishte përgatitur nga Nicci Dhamu në kujtim të nënës së saj, e cila kishte vdekur në vitin 2024.
Pa e ditur nëse bëhej fjalë për personin që kërkonte, Avtar vendosi të kontaktonte me email autoren e shkrimit.
Pas vetëm disa orësh, mes tyre u zhvillua një bisedë telefonike që ua ndryshoi jetën të dyve.
Avtar e pyeti Nicci-n nëse Savinder kishte pasur fëmijë, ndërsa ajo iu përgjigj se kishte pasur një djalë.
Pak çaste më pas, Nicci e pyeti: “Titu, je ti?”, duke shqiptuar nofkën që njihej vetëm nga familja e tij.
“Po, unë jam”, u përgjigj Avtar, duke treguar se askush nuk e kishte thirrur me atë nofkë që prej fëmijërisë.
Vetëm pak ditë pas telefonatës, Avtar udhëtoi për në Londër. Atje ai takoi për herë të parë motrën, xhaxhain dhe të afërmit e tjerë nga familja e nënës.
Së bashku, ata rindërtuan historinë e Savinderit. Ajo ishte detyruar të ndahej nga i biri pas dështimit të martesës së saj dhe nuk e kishte harruar asnjëherë atë.
Edhe pse kontakti me familjen u realizua falë ChatGPT, Avtar e vlerëson me realizëm rolin që pati inteligjenca artificiale.
Sipas tij, AI për momentin mbetet një motor kërkimi më i avancuar, i cili identifikoi përputhjen më të përshtatshme nga informacionet që ai kishte ofruar. “Nuk ka inteligjencë aty”, tha Avtar.
Për Nicci-n, megjithatë, kjo ngjarje ka një domethënie shumë më emocionale.
Ajo tha se askush nuk do ta kishte parashikuar që ChatGPT do t’i çonte drejt një artikulli, shkrimi drejt një emaili dhe mesazhi drejt gjithë asaj që pasoi. Sipas saj, edhe inteligjenca artificiale mund të ketë një prekje njerëzore, siç dëshmon ajo që ndodhi.
