Modelet më të përparuara të inteligjencës artificiale mund të krijojnë kërcënime të reja për sistemin financiar botëror, veçanërisht duke shtuar shpejtësinë dhe përmasat e sulmeve kibernetike. Paralajmërimi u bë nga guvernatori i Bankës së Anglisë, Andrew Bailey, raportoi të hënën The Guardian.
Të lidhura
None found
Bailey, i cili është në krye të Bordit të Stabilitetit Financiar (FSB), i shprehu shqetësimet në një letër dërguar ministrave të financave dhe drejtuesve të bankave qendrore të vendeve të G20-ës, përpara takimit të tyre në Karolinën e Veriut, SHBA.
Sipas tij, modelet “frontier” të IA-së, që përfaqësojnë sistemet më të avancuara në zhvillimin e kësaj teknologjie, po tregojnë “autonomi dhe aftësi gjithnjë e më të sofistikuara për zgjidhjen e problemeve, si dhe aftësi për të paraqitur kërcënime.”
Guvernatori vuri në dukje se një ndërprerje kibernetike që do të përfshinte këto sisteme mund të përhapej me pasoja më të mëdha, pasi tregjet dhe shërbimet financiare në mbarë botën janë “shumë të ndërlidhura.”
Bailey shtoi se në shumë shtete mungojnë ende protokollet për të kontrolluar mënyrën e zhvillimit, publikimit dhe vendosjes së modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale.
“IA-ja frontier mund të ketë aftësinë të ndryshojë materialisht shpejtësinë, shkallën dhe ekonominë e rrezikut kibernetik, gjë që mund të minojë besimin në treg në të gjithë sistemin, veçanërisht për shkak të ofruesve shumë të përqendruar të shërbimeve të palëve të treta,” deklaroi ai.
Ai kërkoi ndërmarrjen e “hapave të duhur për të mbështetur publikimin dhe vendosjen e sigurt dhe të përgjegjshme të modeleve në një bazë globale.”
Letra e Bailey-t trajtoi edhe dobësi të tjera të tregjeve financiare, mes tyre shtimin e levës financiare në tregjet e obligacioneve dhe aksioneve, si dhe vlerësimet e larta në tregjet e përqendruara. Sipas tij, këto zhvillime janë nxitur pjesërisht nga optimizmi i investitorëve për potencialin e IA-së.
“Prandaj mbetem i shqetësuar se një goditje e madhe ose një kombinim goditjesh mund të shkaktojë njëkohësisht dobësi të shumta,” tha Bailey.
Andrew Bailey mban postin e guvernatorit të Bankës së Anglisë që prej marsit të vitit 2020, ndërsa vitin e kaluar u emërua kryetar i Bordit të Stabilitetit Financiar.
FSB-ja bashkërendon punën e autoriteteve financiare kombëtare dhe të institucioneve ndërkombëtare që përcaktojnë standarde për politikat e synuara në ruajtjen e stabilitetit financiar global.
