Fati i Lancia Delta mbetet i paqartë, pasi modeli legjendar nuk është përfshirë në planet e Stellantis për periudhën deri në vitin 2030.
Të lidhura
None found
Ringjallja e Deltës ishte cilësuar prej vitesh si një ndër projektet kryesore për rikthimin e markës italiane Lancia. Në vitin 2021 u njoftua se automjeti do të rikthehej në një version plotësisht elektrik, me prezantimin e parashikuar rreth vitit 2028.
Në strategjinë më të fundit të Stellantis për modelet e ardhshme, megjithatë, emri Lancia Delta mungon tërësisht. Në këtë listë është përfshirë vetëm Lancia Gamma e re, e cila pritet të zgjerojë gamën e markës përkrah Ypsilon.
Mospërmendja e Deltës ka shkaktuar zhgënjim mes shumë adhuruesve të Lancia-s, duke pasur parasysh historinë e veçantë të këtij modeli në industrinë automobilistike. Lancia Delta HF Integrale, në veçanti, fitoi statusin e një legjende pas sukseseve të shumta në garat e rally-t gjatë viteve ’80 dhe ’90.
Sipas konceptit fillestar, Delta e gjeneratës së re do të ishte një makinë elektrike me karakter sportiv dhe do të simbolizonte nisjen e një epoke të re për Lancia-n. Ndryshimet në strategjinë e Stellantis dhe orientimi më i madh drejt modeleve që sjellin më shumë fitime kanë shtuar pikëpyetjet mbi realizimin e këtij projekti.
Deri tani, Stellantis nuk ka njoftuar zyrtarisht se projekti i Deltës është anuluar. Megjithatë, fakti që modeli nuk shfaqet në planet afatgjata ka nxitur shumë ekspertë të automjeteve të besojnë se rikthimi i kësaj ikone mund të jetë shtyrë ose braktisur përfundimisht.
