Drejtuesit e Nissan kanë ngritur alarmin për vështirësitë që po kalon kompania, duke theksuar se e ardhmja e markës varet nga zbatimi i ndryshimeve të mëdha.
Të lidhura
None found
Kazuyuki Yamaguchi, zëvendëspresidenti i Nissan për zhvillimin e produkteve, tha se modelet e reja duhet të mbërrijnë në treg me një ritëm shumë më të shpejtë.
“Duhet të prezantojmë produkte tërheqëse më shpejt. Përndryshe, nuk do të mbijetojmë”, deklaroi ai.
Si pjesë e përpjekjeve për të përshpejtuar këtë proces, koha e nevojshme për krijimin e modeleve të reja do të ulet nga rreth 52 muaj në 37 muaj. Për disa automjete, objektivi është që zhvillimi të përfundojë në një afat edhe më të shkurtër.
Strategjia parashikon gjithashtu reduktimin e platformave të automjeteve nga 13 në 7, pakësimin e ndjeshëm të kompleksitetit të pjesëve dhe zvogëlimin e numrit të modeleve që ofrohen në treg.
Gjenerata e re e Nissan Skyline është ndër modelet e para të realizuara sipas kësaj qasjeje, pasi zhvillimi i saj u përfundua brenda vetëm 26 muajve.
Në të njëjtën kohë, Nissan po punon për rikthimin e Xterra-s, ndërsa vijon zhvillimi i GT-R të ri dhe i gjeneratës së ardhshme të Z.
Përveç riorganizimit të prodhimit, kompania ka parashikuar edhe masa të forta financiare. Këto përfshijnë mbylljen e disa fabrikave, shkurtimin e rreth 20 mijë vendeve të punës dhe reduktimin e kapacitetit vjetor të prodhimit.
Përmes kësaj strategjie, Nissan synon t’i përgjigjet konkurrencës së ashpër nga prodhuesit kinezë të automjeteve, si edhe transformimeve të shpejta që po ndodhin në industrinë globale të makinave.
