JCB ka prezantuar JCB Hydromax, një bolid të ri të pajisur me teknologji lëvizjeje me hidrogjen dhe me 1600 kuaj/fuqi, i përgatitur për të synuar thyerjen e rekordit botëror të shpejtësisë.
Në timonin e tij do të ulet piloti britanik Andy Green, i njohur për faktin se në vitin 1997 theu barrierën e zërit në tokë me Thrust SSC, ndërsa me prototipin Bloodhound SSC ka arritur shpejtësinë 1028 km/h.
Të lidhura
None found
Sipas Green, JCB Hydromax përfaqëson një prej provave më të vështira në karrierën e tij. “Nuk mund të imagjinoj diçka më emocionuese se një makinë garash me hidrogjen, pa karbon, me 1600 kuaj fuqi”, është shprehur ai.
Automjeti i ri ka gjatësi 9.75 metra dhe funksionon me dy motorë hidrogjeni të ndërtuar nga vetë JCB, të ngjashëm me ata që përdoren te ekskavatorët. Këta motorë janë të kompletuar me turbokompresorë, intercoolerë dhe transmision Xtrac.
Karroceria e bolidit është realizuar me fibër karboni, ndërsa elementët e sigurisë janë projektuar në përputhje me standardet e FIA-s. Po ashtu, automjeti është i pajisur edhe me një parashutë, për të garantuar ndalim më të sigurt pasi të arrihen shpejtësi të larta.
Kompania JCB, e cila njihet për prodhimin e makinerive të rënda, ka pasur më herët sukses edhe me bolidin Dieselmax. Ky i fundit arriti 563 km/h në shkretëtirën e kripës Bonneville në SHBA, duke vendosur rekord për automjetet me motor dizel.
