Kompania izraelite Electreon Wireless ka zbuluar në panairin IAA Transportation, në Hannover, sistemin Lite DOT, i cili mundëson mbushjen pa kabllo të veturave elektrike dhe automjeteve të lehta komerciale.
Të lidhura
None found
Zgjidhja është projektuar për parkingje private dhe qendra të flotave të vogla, ndërsa nuk synon përdorimin në autostrada ose në rrugë tranziti.
Lite DOT siguron deri në 11 kW fuqi karikimi përmes një pllake të integruar në sipërfaqen e parkingut dhe një pajisjeje kontrolli të vendosur në mur. Instalimi nuk kërkon kabllo, priza apo ndërhyrje ndërtimore. Sapo automjeti pozicionohet mbi pllakë, sistemi e njeh atë dhe e nis vetë procesin e karikimit.
Teknologjia e përdorur bazohet në induksionin magnetik. Për transferimin e energjisë shërben një spirale marrëse, e vendosur në pjesën e poshtme të automjetit dhe e përshtatur sipas modelit të tij.
Pajisja kontrolluese mund të instalohet në murin e garazhit ose në një shtyllë jashtë tij, ndërsa përdoruesi e administron karikimin përmes aplikacionit Electreon Flow. Lite DOT mund të operojë në temperatura nga minus 30 deri në 50 gradë Celsius dhe është ndërtuar për të funksionuar edhe në kushte shiu e bore.
Electreon ende nuk ka publikuar çmimin e produktit, datën kur do të nisë shitja apo tregun ku ai do të ofrohet fillimisht. Kompania gjithashtu nuk ka dhënë informacion mbi efikasitetin e sistemit Lite DOT.
Të dhënat e mbledhura në një stacion autobusësh në Rosh HaAyin të Izraelit, ku përdoret një teknologji e ngjashme e karikimit pa kabllo, tregojnë efikasitet prej 89.3 për qind. Në atë rast, sistemi ka qenë funksional gjatë 99 për qind të kohës.
