Gjatë vitit të kaluar, në Gjermani u raportuan mbi 16 mijë aksidente me skuterë elektrikë, ku rreth 15 mijë persona pësuan lëndime.
Të lidhura
None found
Brenda një periudhe prej vetëm katër vitesh, numri i të dëmtuarve në këto ngjarje është trefishuar. Statistikat tregojnë se grupi më i rrezikuar përbëhet nga fëmijët dhe të rinjtë e moshës 10 deri në 18 vjeç.
Studimi i të dhënave spitalore ka nxjerrë në pah dy mënyra kryesore se si ndodhin aksidentet dhe dëmtimet që pasojnë. Njëra prej tyre është rrëzimi anash, i cili mund të ndodhë kur skuteri humbet qëndrueshmërinë në kthesë, mbi zhavorr apo në gjethe të lagura. Në këtë situatë, goditjet prekin më shpesh pjesën e sipërme të trupit, veçanërisht shpatullat, krahët dhe duart.
Forma tjetër është përplasja ballore. Ajo ndodh kur rrota e përparme, e cila është e vogël, bllokohet papritur pasi përplaset me një bordurë ose futet në një gropë të thellë. Si rezultat, drejtuesi mund të fluturojë përpara, mbi timon.
Studiuesit kanë vënë re se në përplasjet ballore ekziston një lidhje e rëndësishme mes dëmtimeve dhe sasisë së alkoolit te drejtuesi. Një person i kthjellët zakonisht aktivizon instinktivisht duart gjatë rënies për të mbrojtur trupin. Kjo shpesh sjell fraktura në kyçe, gërvishtje në duar ose dëmtime të shpatullave, ndërsa koka përgjithësisht pëson më pak dëmtime.
Situata ndryshon te drejtuesit e dehur, pasi aftësia për të reaguar në mënyrë mbrojtëse mund të jetë pjesërisht ose tërësisht e dobësuar. Në këto raste, personi nuk arrin ta ndalë rënien me duar dhe mund të godasë drejtpërdrejt asfaltin me kokë e fytyrë. Pasojat mund të përfshijnë fraktura të rënda në fytyrë, dëmtime të dhëmbëve dhe lëndime të trurit me rrezik për jetën.
Një shkak tjetër që ndikon në shtimin e aksidenteve është hipja e dy apo tre personave në të njëjtin skuter elektrik. Shtimi i peshës dhe zhvendosja e qendrës së gravitetit e vështirësojnë ndjeshëm drejtimin. Të dhënat e klubit gjerman të automobilizmit ADAC tregojnë se vetëm gjatë vitit të kaluar aksidentet ku kishte edhe pasagjerë u shtuan deri në 60 për qind.
Për shkak të mënyrës së ndërtimit, skuterët elektrikë nuk tolerojnë lehtë gabimet gjatë përdorimit. Ekspertët rekomandojnë respektimin e rregullave të qarkullimit dhe përdorimin e vazhdueshëm të helmetës.
Provat e zhvilluara nga klubi zviceran i automobilizmit TCS kanë treguar se edhe një helmetë standarde biçiklete mund të pakësojë ndjeshëm rrezikun e dëmtimeve të rënda të trurit në rast përplasjeje. Specialistët këshillojnë gjithashtu që në skuterin elektrik të mos transportohet asnjëherë një person tjetër.
