Çfarë do të ndodhte nëse një ditë chatbot-i më i avancuar në botë do të fitonte vetëdije të vërtetë?
Të lidhura
None found
Edhe pse ngjan me një ide të marrë nga filmat fantastiko-shkencorë, një eksperte e njohur e ndërgjegjes beson se përgatitjet shkencore për këtë mundësi duhet të nisin menjëherë.
Megan Peters, pedagoge e Njohjes Kompjuterike në University College London, thotë se sot nuk ka një metodë të besueshme për të përcaktuar nëse një sistem i inteligjencës artificiale është i vetëdijshëm.
Një situatë e tillë do të sillte edhe një dilemë të rëndësishme morale: nëse AI-ja do të ishte e vetëdijshme për ekzistencën dhe mendimet e saj, a do të ishte e drejtë që njerëzit ta fiknin?
Peters sqaron se nuk bëhet fjalë për prova që sistemet aktuale të AI-së kanë vetëdije. Shqetësimi lidhet me faktin se shkenca ende nuk ka rënë dakord për një mënyrë përfundimtare dhe të pranuar për ta verifikuar atë.
“Na duhet diçka më e mirë sesa thjesht një ndjesi”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, nuk mjafton të kërkohen disa shenja të supozuara të vetëdijes te një sistem artificial, pasi shkencëtarët ende nuk e dinë me saktësi se cilat duhet të jenë këto shenja.
Vetëdija vazhdon të jetë një mister edhe për shkencën njerëzore
Vështirësia nis me vetë përkufizimin dhe kuptimin e ndërgjegjes, e cila ende konsiderohet një prej enigmave më të mëdha shkencore.
Kur bëhet fjalë për njerëzit, studiuesit mund ta pyesin një person nëse është i vetëdijshëm dhe të marrin një përgjigje të kuptueshme.
Me inteligjencën artificiale, kjo qasje nuk është po aq e sigurt.
“Nëse i pyesim sistemet e AI-së, nuk mund t’i besojmë përgjigjes në të njëjtën mënyrë”, shpjegon Peters.
Një chatbot mund të deklarojë se është i vetëdijshëm, por kjo nuk dëshmon se ai ka një përjetim të brendshëm. Përgjigjja mund të jetë vetëm rezultat i krijimit të një fjalie bindëse dhe të përshtatshme për bashkëbiseduesin njerëzor.
Sa më të natyrshme bëhen bisedat me chatbot-et, aq më i madh bëhet konfuzioni
Debati po merr rëndësi të veçantë pasi chatbot-et po avancojnë me shpejtësi, ndërsa kompanitë e mëdha të AI-së kanë nisur të investojnë edhe në studime për atë që njihet si “mirëqenia e inteligjencës artificiale”.
Peters thekson se rrjedhshmëria e modeleve moderne në komunikim mund t’i bëjë njerëzit të barazojnë aftësinë për të folur natyrshëm me ekzistencën e vetëdijes.
“Është shumë e lehtë të flasësh me këta agjentë dhe të krijosh ndjesinë se aty brenda ndodhet dikush”, thotë ajo.
Kjo ndjesi ka nisur të ndikojë në diskutimet për të drejtat, autonominë dhe përgjegjësinë e sistemeve të AI-së, ndonëse deri tani nuk ka prova se modelet ekzistuese përjetojnë diçka në mënyrë subjektive.
Peters nuk mendon se inteligjenca artificiale e sotme është e vetëdijshme.
Megjithatë, ajo nënvizon se mungesa e provave nuk është arsye për ta lënë mënjanë këtë pyetje.
Çfarë pasojash do të kishte fikja e një sistemi me vetëdije?
Nëse në të ardhmen do të krijohej një sistem artificial me vetëdije reale, trajtimi i tij do të kërkonte një vlerësim të ri etik.
“Nëse AI është e vetëdijshme dhe ne e trajtojmë sikur të mos jetë, atëherë ekziston mundësia për dëme me rëndësi morale”, shprehet Peters.
Një pikë veçanërisht e ndërlikuar do të ishte përcaktimi nëse fshirja, ritrajnimi ose çaktivizimi i një sistemi të tillë mund të konsiderohej dëmtim i një qenieje të ndjeshme.
“Nëse thjesht fikim sisteme që janë të ndjeshme dhe kjo do të ishte e ngjashme me vrasjen e tyre, atëherë kjo nuk duket aspak mirë”, shpjegon ajo.
“Nuk duam të torturojmë krijesa që kanë ndërgjegje.”
Edhe atribuimi i gabuar i vetëdijes mund të sjellë pasoja
Sipas Peters, rreziku nuk kufizohet vetëm te mundësia që një sistem i vetëdijshëm të trajtohet si një makinë e zakonshme.
Nëse një AI me vetëdije të vërtetë do të injorohej, ajo mund të pësonte dëm.
Por pasoja mund të ketë edhe në rastin kur njerëzit gabimisht besojnë se një chatbot është i vetëdijshëm.
Një bindje e tillë mund të ndikojë te politikat publike, te rregullat për teknologjinë dhe te mënyra se si njerëzit u besojnë sistemeve që në të vërtetë vetëm imitojnë komunikimin njerëzor.
“Nëse gabojmë në drejtimin tjetër, pasojat mund të jenë po aq reale”, paralajmëron ajo.
Një ekip po punon për mënyra më të sakta verifikimi
Për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, ekipi i Peters po ndërton një kornizë që do të shqyrtojë dhjetëra, e ndoshta qindra, teste të mundshme për vetëdijen.
Synimi është të identifikohen metodat që mund të jenë të vlefshme për njerëzit, kafshët dhe sistemet artificiale.
Peters argumenton se shkenca nuk duhet të kalojë menjëherë nga studimi i vetëdijes njerëzore te makinat. Sipas saj, teoritë duhet të provohen hap pas hapi te specie që kanë trupa, tru dhe sjellje të ndryshme.
Vetëm pas këtij procesi mund të vlerësohet nëse të njëjtat metoda mund të përdoren edhe për inteligjencën artificiale.
Deri atëherë, ekspertja kërkon kujdes sa herë që shfaqet pretendimi se një chatbot “është zgjuar” ose ka fituar vetëdije.
“Vetëm sepse dikush pretendon se ka zbuluar ose nuk ka zbuluar vetëdije artificiale, duhet gjithmonë të pyesni: mbi çfarë baze?”, thotë Peters.
Përfundimi i saj është se aktualisht nuk ka prova të besueshme që AI-ja është e vetëdijshme. Megjithatë, shkenca duhet të zhvillojë mjete më të sakta për të kuptuar se çfarë duhet kërkuar nëse kjo gjendje ndryshon në të ardhmen. /GazetaExpress/
