Chelsea ka zyrtarizuar afrimin e Valentín Barcos nga Strasbourg, si pjesë e përforcimeve të skuadrës së drejtuar nga Xabi Alonso përpara sezonit të ri.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të klubit londinez, 21-vjeçari ka firmosur një marrëveshje afatgjatë. Kalimi është kryer brenda grupit të pronësisë BlueCo, i cili ka nën kontroll si Chelsean, ashtu edhe Strasbourgun.
Barco mbërrin në “Stamford Bridge” pas një edicioni të suksesshëm në Ligue 1. Gjatë këtij sezoni, ai dëshmoi se mund të aktivizohet në role të ndryshme, si në mesfushë, ashtu edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.
Futbollisti argjentinas ishte transferuar fillimisht te Strasbourg në huazim nga Brighton, ndërsa më pas kalimi i tij u kthye në të përhershëm. Në sezonin e fundit, ai regjistroi 43 paraqitje, tre gola dhe nëntë asistime.
Forma e treguar në Francë tërhoqi edhe vëmendjen e Kombëtares së Argjentinës, nga e cila Barco ka marrë ftesë në nivelin senior.
Tashmë, ai i bashkohet projektit të ri të Chelseat nën udhëheqjen e Xabi Alonsos, i cili kërkon të ndërtojë një ekip konkurrues për sezonin e ardhshëm.
