Zbuloi kalendarin e Superligës, Ceferin: U gajasa, luante çdo ditë Reali me Juventusin

“Për mendimin tim, nuk ka pasur kurrë një Super League. Ishte një përpjekje për të krijuar një ligë fantazmë të pasurish, që nuk ndiqte asnjë sistem, që nuk do të merrte parasysh piramidën e futbollit në Europë, traditën dhe kulturën e saj.”

Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin, i rikthehet sulmit ndaj skuadrave “big” të Europës, që tentuan të krijonin një kampionat të pasurish, projekt që “vdiq” para se të merrte jetë. Tani, shënjestra kryesore e sllovenit është presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, dhe ai i Juventusit. Andrea Agnelli.

“Ata të gjithë na nënvlerësuan. Tani pres që në të ardhmen askush në botën e futbollit të mos na nënvlerësojë. Sot, një klub (Reali) më dërgoi orarin e ndeshjeve të Superligës: ishte shumë argëtuese, sepse vetëm Real dhe Juventusi luajnë çdo ditë. Nëse dikush vë në dyshim fatin e futbollit europian dhe botëror me gënjeshtrat e tij, është diçka që duhet thënë publikisht, por unë e kuptoj që është më lehtë për të të thotë se është një gjë private”.

Duke iu referuar polemikave në distancë me Florentino Perezin, presidentin e Realit, Ceferin vijoi:

“Ai nuk më do? Kjo është një nxitje edhe më e madhe që unë të qëndroj. Ai dëshiron një president i cili do t’i bindet, do ta dëgjojë dhe do të bëjë atë që mendon. Edhe unë përpiqem të bëj atë që mendoj, për të mirën e futbollit europian dhe botëror.”

Mbi hipotezën e një përjashtimi të bujshëm të Real Madrid nga gjysmëfinalet e Championsit, Ceferin dha këtë mesazh:

“Ekziston një mundësi e vogël, por ne rrezikojmë që TV-të të na paraqesin një kërkesë për dëmshpërblim nëse nuk do të luhen gjysmëfinalet. Por në të ardhmen, do të jetë pak më ndryshe. Dyert e UEFA-s janë të hapura dhe në të njëjtën kohë të gjithë do të duhet të vuajnë pasojat e veprimeve të tyre. Unë sigurisht nuk do të kem kurrë më marrëdhënie personale me njerëz të caktuar”.


Shtuar 22.04.2021 14:52