Kompanitë e basteve dhe të statistikave kanë filluar me kuotat rreth fituesve të mundshëm të Topit të Artë për vitin e ardhshëm, 2024.
Nuk ka kaluar shumë kohë që kur Lionel Messi fitoi Topin e Artë për herë të shtatë në karrierë, pas suksesit të madh me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Megjithatë, tani ka filluar të flitet për fituesin e ardhshëm dhe sigurisht që emrat nuk janë aspak befasues marrë parasysh edhe formën që po e tregojnë në këtë fillim sezoni.
Sipas kompanisë BetFred, ylli i Real Madridit, Jude Bellingham konsiderohet si favorit për të fituar Topin e Artë të vitit 2024.
Anglezi tashmë ka një avantazh ndaj Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, rivalët e tij më të afërt për momentin.
Mesfushori anglez pati një fillim përrallor në sezonin e tij të parë me Real Madridin, duke shënuar 15 dhe duke asistuar 4 gola në vetëm 17 paraqitje.
Është interesante se Messi është renditur mjaft lart pavarësisht lëvizjes së tij në MLS. Kush e di se ku do të jetë nëse e fiton atë së bashku me Copa America 2024.
Në top dhjetë gjenden edhe yje tjerë si Harry Kane, Rodri, Kevin de Bruyne, Mohamed Salah, Jamal Musiala dhe Julian Alvarez.
Përveç Ligës së Kampionëve, Euro 2024 dhe Copa America do të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në votimin e Topit të Artë vitin e ardhshëm.
Top 10 aktualisht sipas BetFred
1 – Jude Bellingham
2 – Kylian Mbappe
3 – Erling Haaland
4 – Harry Kane
5 – Lionel Messi
6 – Rodri
7 – Kevin De Bruyne
8 – Mohamed Salah
9 – Jamal Musiala
10 – Julian Alvarez
/Telegrafi/