Zbulohen detajet për listën e Kombëtares, ndryshim i pazakontë për emrat e të grumbulluarve për play-off të Botërorit

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të grumbullohet në javën e ardhshme, për të përgatitur ndeshjet historike në play-off të Botërorit 2026, fillimisht ndaj Polonisë e duke shpresuar që të jetë më pas në finalen e madhe për biletën në aktivitet ndaj fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi.

Trajneri Silvinjo do të bëjë publike këtë fundjavë listën, por me një ndryshim në krahasim me të kaluarën. Publikimi i listës dhe konferenca e trajnerit, nuk do të bëhet më ditën e premte në orën 10:00-11:00, siç ka qenë e zakonshme, por të shtunën në të njëjtat orare, siç ka zbuluar FSHF.

Arsyeja e këtij ndryshimi të pazakontë është e thjeshtë. Shkas është bërë festa e Bajramit këtë të premte ndaj është vendosur që të zhvendoset me një ditë publikimi i listës së emrave të përzgjedhur nga trajneri Silvinjo.

Kuqezinjtë e grumbulluar nga Silvinjo, do të grumbullohen më pas gjatë fundjavës dhe ditëve të para të javës së ardhshëm teksa seanca e parë stërvitore e tyre është e planifikuar më datë 23 mars.


Shtuar 17.03.2026 17:25