Ylli i Liverpoolit ka shprehur dëshirën t’i bashkohet Barcelonës në verë

Barcelona do të jetë e limituar sa i përket shumës së parave që mund të shpenzojnë në afatin kalimtar veror, për shkak të vështirësive të vazhdueshme financiare.

Një sulmues i majtë është pozicioni ku ekipi i Xavit ka probleme më së shumti, dhe për ta përforcuar atë, blaugranasit kanë kthyer fokusin tek Liga Premier.

Siç është raportuar nga mediumi katalanas Sport, Luis Diaz është shumë i vlerësuar tek Barcelona, dhe po e njëjta vlen edhe nga ana e lojtarit.

27-vjeçari është i etur për të kaluar tek gjiganti katalanas, aty ku me shumë gjasa do të ishte startues i rregullt, ashtu siç ka qenë tek Liverpooli për pjesën më të madhe të sezonit.

Sidoqoftë, Barcelona beson se do të jetë ‘pothuajse e pamundur’ për të nënshkruar me Diazin në verë, pasi Liverpooli nuk do t’ia bëjë të lehtë askujt që dëshiron të nënshkruaj me reprezentuesin kolumbian, i cili ka kontratë me ‘Të Kuqtë’ deri në vitin 2027.

Xavi me të vërtetë e pëlqen Diazin, dhe një transferim i tij do mund ta joshte spanjollin që të vazhdonte si trajner i Barcelonës.

Fatkeqësisht, një marrëveshje vështirë se do të ndodhë për shkak të siç përmendëm, problemeve financiare, dhe çmimit që do kërkojë Liverpooli për lirimin e tij. /Telegrafi/


Shtuar 21.04.2024 14:27