Ylli i Kombëtares U-21 shkëlqen në Angli, shpallet lojtari i muajit në Premier League U21

Një formë vërtet e shkëlqyer. Po ashtu një shpërblim pas një periudhe tepër të vështirë, dhe një nxitje se gjëra më të mëdha mund të arrihen në të ardhmen.

Adrion Pajaziti është lojtari i muajit në kampionatin e Shpresave në Angli.

Ylli i Shqipërisë U21 u përzgjodh si numri 1 për muajin mars, dhe siç thekson faqja zyrtare e klubit të tij, Fulham, kjo nuk ishte aspak një e papritur.

Pajaziti shënoi gjatë marsit 5 gola, dhe shërbeu po 4 asistë, duke qenë më i miri jo vetëm tek Fulhami, por edhe tek gjithë Premier Liga U21.

Shqiptari i lindur në Londër ishte mjaft I emocionuar, ndërsa u intervistua nga një tifoz me aftësi të kufizuara.

“Faleminderit shumë. Mendoj se ky çmim ka shumë kuptim, sepse është shpërblimi i punës së madhe që kam bërë, dhe paraqitjeve të mira kohët e fundit. Ka qenë një sezon i vështirë për mua, me ulje e ngritje. Unë mungova në pjesën e parë të sezonit për shkak të një dëmtimi të rëndë. Gjithsesi, nga mesi i janarit deri tani, gjithçka ka qenë shkëlqyeshëm. Unë kam luajtur mirë, kam shënuar gola e kam dhënë asiste dhe kjo shpërbleu djersën dhe lojën time”.

Pajaziti pati tre gola e dy asistë në fitoren 7-1 që Fulham arriti ndaj Ridingut, pastaj një gol e dy asistë në suksesin 3-0 në fushën e West Ham dhe realizoi sërish një gol në fitoren 5-3 në Leeds.

Ai është pjesë e Shqipërisë U21 dhe pritet të kalojë në ekipin e parë të Fulhamit, aty ku aktualisht ndodhet edhe Armando Broja./ h.ll/abcnews.al