Vrioni e nis vrullshëm në Austri, debuton me dopietë

Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Giacomo Vrioni, i cili pak ditë më parë është transferuar në Bundesligën e Austrisë, ka qenë protagonist absolut me skuadrën e tij të re. Sulmuesi kuqezi ka shënuar dy gola për Tirolin, duke lënë gjurmë që në ndeshjen e parë me këtë ekip.

Fillimisht, Vrioni fitoi një penallti, që e shndërroi në gol duke i dhënë avantazhin skuadrës austriake, ndërsa pak minuta më vonë, shqiptari gjen sërish rrugën e rrjetës, duke dyfishuar shifrat për Tirolin. Pavarësisht dy golave të shënuar nga Vrioni, skuadra e Tirolit nuk shkoi më shumë se barazimi 3-3.

Sulmuesi, i cili është në pronësi të Juventusit, u huazua për një vit te skuadra austriake e Zvarovski Tirol në mënyrë që të gjejë më shumë hapësira për të luajtur. 22-vjeçari duket se e ka lënë pas dëmtimin që e mbajti larg fushave për shumë muaj sezonin e kaluar dhe po rigjen formën e tij të dikurshme gradualisht.

Sigurisht, një lajm i mirë edhe për Kombëtaren shqiptare që shpreson të mbështetet edhe te talenti i Vrionit në të ardhmen.


Shtuar 8.07.2021 14:43

Tags: ,