Gati 100 tifozë kroatë të futbollit dolën para një gjykate në Athinë të mërkurën, për t’u përballur me akuza serioze penale, që përfshijnë vrasje dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale, për shkak të dyshimeve se u përfshinë në një përleshje vdekjeprurëse mes tifozëve më 8 gusht.
Të rinjtë e arrestuar – shumica e të cilëve e mbuluan kokën me fanellat e tyre për ta fshehur identitetin – dolën para gjykatësit një ditë pasi një tifoz 29-vjeçar grek u ther me thikë për vdekje pranë stadiumit të AEK-ut të Athinës, duke e shkaktuar anulimin e ndeshjes kualifikuese mes klubit grek dhe Dinamo Zagrebit në Ligën e Kampionëve.
Zyrtarët e gjykatës thanë se gjykatësi i ngarkoi me aktakuzë të gjithë 103 të dyshuarit, përfshirë 97 qytetarët kroatë. Në aktakuzë janë përfshirë, po ashtu, edhe akuzat për sulme të shumta dhe posedim të jashtëligjshëm dhe përdorim të materialit shpërthyes.
Akuzat për vrasje ka mundësi të hidhen poshtë ndaj shumicës së pandehurve gjatë vazhdimit të hetimeve.
Video amatore nga sulmi shfaqën dhjetëra të rinj duke vrapuar pranë stadiumit me shkopinj dhe shufra hekuri në dorë, ku shpërthyen bomba me benzinë dhe fishekzjarrë. Dhjetë persona u lënduar dhe katër mbesin të hospitalizuar.
Në vendet e tjera në Greqi, policia ka vendosur bllokada nëpër rrugë dhe i ka shtuar kontrollet nëpër kufij, në kërkim të të dyshuarve tjerë.
Autoritetet thanë se gjashtë shtetas kroatë u arrestuan duke tentuar të largoheshin nga vendi. Pesë nga ta u arrestuan në portin veriperëndimor, Igoumenista, ku po përgatiteshin të hipnin në një traget për Itali, ndërsa gjashtë të tjerë u arrestuan në një autobus për Shqipëri.
AEK-u i ka bërë thirrje shtëpisë së futbollit evropian, UEFA, ta ndëshkojë “rëndë dhe menjëherë” Dinamo Zagrebin, duke shprehur zhgënjimin se ndeshja e parë e rrethit kualifikues do të zhvillohet në Zagreb në fund të këtij muaji.
Qeveria e Kroacisë dhe Dinamo e kanë dënuar fuqishëm sulmin në Athinë. Por klubi i Zagrebit i ka mbrojtur veprimet e veta, duke ngulur këmbë se ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet.
Dinamo i kundërshtoi thirrjet e AEK-ut që ajo të përjashtohet nga garat evropiane.
Ndërkohë, në një komunikatë të përbashkët, kryetarët e Athinës dhe Zagrebit, Kostas Bakoyannis and Tomislav Tomasevic, bënë thirrje për qetësim të situatës.
“Athina dhe Zagrebi kanë marrëdhënie miqësore, dhe si kryetarë, ne jemi të vendosur për fuqizimin e tyre. Kjo dhunë e pakuptimtë nuk ka vend në stadiumet, qytetet dhe shoqëritë tona”, thanë ata./ REL