Vincent Kompany synon t’ia “rrëmbejë” dy yje Arsenalit si nënshkrime të para tek Bayerni

Vincent Kompany raportohet se ka identifikuar dy lojtarë të Arsenalit si nënshkrimet e tij të para në krye të Bayern Munichut.

Përkundër një sezoni zhgënjyes që përfundoi me rënien nga elita e futbollit anglez të Burnleyt, tekniku belg tërhoqi interesimin nga gjiganti gjerman Bayerni.

Të mërkurën, u konfirmua se 38-vjeçari do të bëhet trajneri i ri i bavarezëve, duke zëvendësuar kështu Thomas Tuchel.

Teksa jemi pak para hapjes së afatit kalimtar veror, është raportuar se Kompany ka shënjestruar dy yje të Arsenalit.

Sipas FootballTransfers, ish-kapiteni i Manchester Cityt dëshiron që të nënshkruajë me mesfushorin Albert Sambi Lokonga, i cili ka kaluar sezonin që lamë pas në huazim tek Luton Town.

Për më shumë, sipas një raportimi nga The Mirror, Bayerni është duke monitoruar edhe situatën e Oleksandr Zinchenkos.

Reprezentuesi ukrainas e ka humbur vendin e titullarit në formacionin e Artetas, pasi ky i fundit po preferon Jakub Kiwior dhe Takehiro Tomiyasu para tij.

Duke marrë parasysh se Alphonso Davies është lidhur me një kalim tek Real Madridi, është raportuar se Bayerni po mban një sy tek situata e Zinchenkos.

Kujtojmë se Kompany ka luajtur së bashku me Zinchenkon për tri vite tek Manchester City nën urdhrat e Pep Guardiolës. /Telegrafi/


Shtuar 31.05.2024 18:35