Roma ka zhvilluar sot ndeshjen e parë që pas largimit të Murinjos. Ndonëse nuk është më në krye të pankinës verdhekuqe, trajneri portugez ka përjetuar një respekt si kurrë më parë në karrierën tij. Tifozeria romane nuk e harron lehtë suksesin e arritur nga “special one“. “Olimpiko” u mbush me pankarta përkrahëse për Zhoze Murinjon.
“Janë kujtime që nuk kanë kontratë, rrugët dhe buzëqeshjet që na ke dhuruar. Për romanizmin tënd do të jesh gjithmonë i respektuar. Faleminderit mister!”, shkruhej në mesazhin e përcjellë nga “Curva Sud”. “Ke mbrojtur Romën tonë, na ke dërguar te fitorja. Zhoze Murinjo, lavdi e përjetshme”, shkruhej në një tjetër. Ndërkaq, “Olimpiko” ka oshëtitur për 2 minuta rresht nga zërat e tifozëve që thërrisnin në kor emrin e Murinjos. /Sport Ekspres/