Nuk ka më histori, Flamurtari ka arritur të rrëmbejë një fitore minimale 1-0 përballë Vorës për të festuar rikthimin në elitë, në “Abissnet Superiore”, pas pesë vitesh.
Në një ndeshje ku vlonjatët dominuan përballë një Vore me objektiva të arritura, gjithçka u zhbllokua në minutën e 33-të nga Ememe, i cili përfitoi nga një mosmarrëveshje e mbrojtjes vorake duke mposhtur portierin Ruçi.
Rastet nuk munguan në minutat në vazhdim, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, aty ku të dyja skuadrat kishin të gjithë të drejtën që të festonin.
Pas 33 javësh kampionat, Flamurtari e mbylli sezonin në vendin e dytë me 75 pikë, një më pak se Vora e vendit të parë dhe një më shumë se Besa e vendit të tretë.
Nderkohe, festa nuk ka të ndalur në qytetin e Vlorës, pas rikthimit të Flamurtarit në elitën e futbollit shqiptar pas plot 5 vitesh.
Lojtarët, tifozët dhe stafi janë grumbulluar për të vazhduar festën para stadiumit duke krijuar një atmosferë elektrizuese.
Në pamjet e siguruara nga “Panorama Sport”, shikohen lojtarët, tifozët dhe trajneri Pollozhani duke kërcyer me tifozët.