Në minutën e 7-të të ndeshjes së djeshme, Skënderbeu fitoi një penallti pas pengimit në zonë të sulmuesit Muharem. Mirëpo, përpara se të goditej 11-metërshi, ka pasur polemika mes lojtarëve, se cili prej tyre do të ekzekutonte nga pika e bardhë. Fillimisht topin e mori mbrojtësi i majtë, Ergi Zenullari, i cili shkoi drejt pikës së 11-metërshit, por aty hasi në kundërshtimin e mesfushorit brazilian, Juri Merlim.
Ky i fundit ishte i vendosur që ta godiste penalltinë, ndërsa Zenullari nuk e lëshonte topin nga dora. Situata u bë qesharake dhe u desh një minutë që lojtarë të sqaroheshin, ndërsa çuditërisht në këtë moment mungoi reagimi i stafit teknik. Lojtarë si Moses dhe Muharem u munduan të qetësonin Zenullarin, i cili më pas i dha topin Jurit dhe ky i fundit goditi penalltinë, duke realizuar golin e parë. /Panorama