Vedat Muriqi mund ta regjistrojë paraqitjen e tij të parë që nga rikthimi te Fenerbahçe në ndeshjen me Sturm Grazin, e vlefshme për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Të lidhura
None found
Të premten, mediat në Turqi njoftuan se sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është pjesë e listës së lojtarëve që Fenerbahçe ka dorëzuar në UEFA për duelet me ekipin austriak.
Fenerbahçe do ta presë Sturm Grazin në Stamboll më 5 gusht për takimin e parë, me klubin turk që shpreson ta ketë të gatshëm futbollistin kosovar pas mungesës së shkaktuar nga lëndimi.
Muriqi e pësoi dëmtimin në muskulin e këmbës së djathtë gjatë kampit përgatitor, ndërsa procesi i rikuperimit të tij ka ecur pozitivisht.
Fanatik raporton se 32-vjeçari ka bërë përparim drejt rikthimit dhe po monitorohet me kujdes nga ekipi mjekësor i Fenerbahçes.
Sipas mediumit turk, sulmuesi është rikuperuar nga lëndimi dhe vijon punën nën kujdesin e stafit mjekësor të klubit. Ai ndodhet pranë përmbylljes së programit individual dhe pritet t’u bashkohet së shpejti stërvitjeve me skuadrën.
Para se të merret vendimi përfundimtar për aktivizimin e tij kundër Sturm Grazit, stafi teknik i Fenerbahçes do të shqyrtojë formën fizike të Muriqit, ka bërë të ditur i njëjti medium.
Sulmuesi u bashkua sërish me Fenerbahçen këtë verë, pasi spikati në futbollin spanjoll me paraqitjet dhe golat e tij.
