UEFA mbledhje urgjente pas penalltisë së kontestuar dhënë PSG-së në Champions League

Gjermani Marco Fritz do të jetë në krye të VAR-it në ndeshjen që Real Sociedad dhe Salzburg do të luajnë sonte, duke marrë përsipër vendin e caktuar fillimisht për polakun Tomasz Kwiatkowski, i cili ishte përgjegjës për video-arbitrimin e ndeshjes shumë të diskutueshme PSG-Newcastle, të martën në mbrëmje, ku u akordua një penallti për parizienët vendës në minutën e 97-të, prej nga erdhi dhe goli i barazimit 1-1.

Veprim i kontestuar ashpër nga anglezët, por jo vetëm, i konsideruar si vjedhje e hapur ndaj Newcastle, që tashmë rrezikon seriozisht kalimin e grupit. Nga ana tjetër, kjo penallti e dyshimtë favorizoi dukshëm PSG-në për të shkuar në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.

Zëvendësimi urgjent i Kwiatkowski me Fritz, në krye të VAR-it të ndeshjes së “Reale Arena” tregon se UEFA e pranon në heshtje gabimin dhe ndëshkon përgjegjësin që akordoi penalltinë pro PSG-së.

Në fakt ishte Kwiatkowski, ai që thirri kryesorin Szymon Marciniak që ta shihte rastin e dyshimtë në monitor, pasi nuk e kishte akorduar penallti me sa pa gjatë aksionit. Pastaj, kryesori ndryshoi mendje dhe dha 11-metërshin, që u kthye në gol nga Mbappe, por u konsiderua skandal nga mediat e kontinentit, bashkë me të prekurin direkt, Newcastle.

Szymon Marciniak, gjyqtari që drejtoi finalen e Kupës së Botës në Katar mes Argjentinës dhe Francës, një vit më parë, dhe finalen e Ligës së Kampionëve të fundit mes Manchester City dhe Interit, dha dënim maksimal (penallti) për një veprim në të cilin pasimi i Ousmane Dembele goditi trupin e Tino Livramentos dhe më pas preku lehtë bërrylin e tij, gjë që shkaktoi pakënaqësi të madhe tek anglezët, të cilët po shijonin triumfin 1-0 në kryeqytetin francez deri në minutën e 97-të.

Sipas rregullores përkatëse, nëse topi përplaset me trupin e lojtarit fillimisht dhe pastaj mund të rrëshqasë përmes krahut, nuk konsiderohet penallti. Trupa arbitrale polake e ndeshjes PSG-Newcastle bëri një interpretim ndryshe të rregullores, ndaj ka mbërritur edhe dënimi i UEFA-s për ta.


Shtuar 29.11.2023 17:41