U sulmua nga lojtari ukrainas se po heshte për luftën, reagon kapiteni i Rusisë: E lehtë të flasësh me b***ën ulur në vilën tënde në Angli!

Artem Dzyba, lojtari i Zenitit dhe kapiteni i kombëtares ruse, i përgjigjet akuzave të mbrojtësit ukrainas të Evertonit, Vitali Mikolenkos, i cili akuzoi sulmuesin se nuk ka mbajtur qëndrim për luftën në Ukrainë.

Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social “Instagram”, Dzyba i përgjigjet Mikolenkos:

“Për disa kolegë që ulin by**en në vilat e tyre në Angli dhe thonë gjëra të këqija. Kjo nuk mund të na ofendojë, sepse ne kuptojmë gjithçka! Nuk jam shprehur më parë jo se kam frikë, por sepse nuk jam ekspert i politikës.

Si gjithë të tjerët, kam mendimin tim, jam kundër luftës, është një gjë e frikshme, por jam edhe kundër agresionit dhe urrejtjes njerëzore, e cila po përshkallëzohet çdo ditë në mënyrë shkatërruese.

Nuk kam frikë të jem rus, jam krenar që jam rus. Dhe nuk e kuptoj pse duhet të vuajnë sportistët tani. Të gjithë gjithmonë thoshin se sporti duhej të ishte jashtë politikës, por në rastin e parë, kur bëhet fjalë për Rusinë, a harrohet plotësisht ky parim?

E përsëris, lufta është e frikshme. Në situata stresuese, njerëzit tregojnë thelbin e tyre, ndonjëherë negativ. Sa keqdashje, pisllëk dhe vrer është derdhur tani mbi të gjithë rusët, pavarësisht nga pozita dhe profesioni i tyre.

Ata janë mijëra njerëz që shkruajnë sharje dhe kërcënime. Lufta do të përfundojë, por marrëdhëniet njerëzore do të mbeten.”, shkroi Dzyba.


Shtuar 3.03.2022 11:59