U ofendua nga tifozët e Juventusit? Totti e mohon dhe dëshmon të kundërtën

Francesco Totti dhe djali i tij, Cristian, ishin gjithashtu midis spektatorëve me fat, që përcollën nga stadiumi finale e Kupës së Italisë, Atalanta-Juventus. Ata u përfshinë disi edhe në trazirat që ndodhën para fillimit të ndeshjes. 4.300 spektatorë gjetën vendet e tyre në tribunat e “Mapei Stadium”. Sidoqoftë, shumë nuk ishin në gjendje të gjenin biletë për këtë sfidë. Rreth 60 ultras bardhezi, para fillimit të ndeshjes u përpoqën të përplaseshin me një grup mbështetësish nga Bergamo.

Disa minuta para se të kalonin autobusët e dy ekipeve (kjo shkaktoi edhe devijimin e dy automjeteve për arsye sigurie), disa trazira ndodhën pranë njërës nga hyrjet që të çonin në stadium. Tifozët e Juventusit, gjithashtu shpërthyen disa bomba letre pranë një rrethrrotullimi. Për më tepër, sipas asaj që mësohet nga burimet hetimore, në atë rrugë, në atë moment, Francesco Totti ishte duke vozitur me djalin e tij, Cristian, për të arritur në stadium.

Të dy, të njohur menjëherë, megjithatë nuk u fyen, siç u tha fillimisht. Është vetë ish-kapiteni i Romës, që e bën të ditur këtë përmes rrjeteve sociale: “Kthimi në stadium për të parë ndeshjen e futbollit me brohoritjen tuaj ishte emocionuese. Cristian dhe unë nuk u fyem nga tifozët e Juventusit, përkundrazi, ata na brohoritën (përshëndetën). Rroftë sporti!”


Shtuar 20.05.2021 17:15