Ditët e fundit, në futbollin evropian është bërë virale një foto e dikur që konsiderohej ylli i futbollit, Tanguy Ndombele, një lojtar tek i cili shpresonin shumë Tottenhami dhe Jose Mourinho, atë kohë trajner i tij.
Ndombele, tani 27 vjeç dhe dikur ishte nënshkrimi më i madh në historinë e Tottenhamit kur ata i paguan më shumë se 65 milionë euro në 2019.
Megjithatë, ai nuk u imponua aty me Jose Mourinhon si trajner, ndaj shkoi në huazim te Lyon, Napoli dhe tani te Galatasaray.
Ai është ende anëtar i klubit të famshëm të Stambollit, por i huazuar nga Tottenham. Megjithatë, futbollisti shumë i talentuar sot nuk duket aspak si sportist.
Përkundrazi, në ndeshjen e Kupës së Turqisë kundër Umraniyespor, e cila u luajt para dy ditësh, Ndombele doli në fushë dhe tronditi tifozët me një peshë të madhe trupore, ku më shumë dukej si bodybuilder se sa si futbollist.
Ndombeles i ka munguar gjithmonë etika e punës për të realizuar potencialin e tij të plotë, të cilin e kishte shumë në fushën e futbollit dhe pikërisht kjo është arsyeja që pas festave të fundvitit u shfaq shumë më i rënduar, ndaj sot duket më shumë si një lojtar që luan për rekreacion ose një ish-futbollist që shfaqet në një ndeshje bamirësie dhjetë vjet pas përfundimit të karrierës së tij.
Pamja e mesfushorit francez nuk kaloi pa u vënë re, ndaj u shfaq në media të shumta angleze dhe turke, por edhe në rrjetet sociale, ku lëvizjet dhe fotot e tij në fusha u bënë virale.
Është veçanërisht interesante që Ndombele është ende nën kontratë me Tottenhamin, sipas së cilës ai fiton 230,000 euro në javë.