Tre klube të njohura vihen pas Edon Zhegrovës pak gjasa të qëndrojë te Lille

E ardhmja e Edon Zhegrovës te Lille mbetet e paqartë, me kontratën që i skadon pas një viti dhe pa sinjale për rinovim. Klubi francez është i hapur ta shesë gjatë kësaj vere për të shmangur një largim pa përfitime në verën e ardhshme.

Sipas mediumit francez Le 11, lojtari kosovar është jashtë planeve afatgjata të Lille, veçanërisht pas ardhjes së Marius Broholm në repartin ofensiv.

Zhegrova nuk ka luajtur që nga dhjetori për shkak të një lëndimi në ijë, që ishte i vështirë për t’u diagnostikuar dhe që shkaktoi shqetësim në klub.

Aktualisht, 26-vjeçari po punon individualisht për të rikuperuar plotësisht dhe për t’u përgatitur për sezonin e ri – megjithatë ende nuk dihet ku do ta nisë atë.

Edhe pse vlera e tij në treg ka rënë për shkak të situatës kontraktuale dhe mungesës së garancive për formën fizike, interesimi nuk mungon.

Napoli dhe Atalanta janë dy nga klubet që e kanë në radar në Itali, ndërsa për Zhegrovën është përmendur edhe një transferim i mundshëm në Bundesligë, me RB Leipzigun si një ndër opsionet më të përfolura.

Zhegrova e kishte informuar Lille qysh në shkurt se nuk do ta rinovonte kontratën, duke e bërë të qartë synimin për një ndryshim këtë verë. Ai pati një pjesë të parë të sezonit shumë të mirë, me paraqitje mbresëlënëse edhe në Ligën e Kampionëve.

Tashmë mbetet të shihet se cili klub do të jetë destinacioni i radhës për lojtarin kreativ nga Kosova.


Shtuar 24.06.2025 17:32