Trajneri i Zvicrës: Xhaka kërkon të fitojë çdo ndeshje, kështu do të bëjë edhe ndaj Kosovës

Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka folur para ndeshjes kundër Kosovës, e vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.

Ai fillimisht u ndal te kapiteni Granit Xhaka, për të cilin tha se është lider i padiskutueshëm dhe një lojtar që kërkon fitoren në çdo moment.

“Xhaka dëshiron ta fitojë çdo ndeshje, madje edhe ato në stërvitje.

Ai është tepër i rëndësishëm për ne dhe kështu do të jetë edhe nesër, pasi po zhvillon paraqitje të jashtëzakonshme”, u shpreh Yakin.

Trajneri zviceran foli edhe për mundësinë e rikthimit të Xherdan Shaqirit në kombëtare.

“Shaqiri është lojtar i jashtëzakonshëm, ndaj nuk mund të them se e ka derën e mbyllur.

Por aktualisht kemi lojtarë shumë të fortë dhe po shohim drejt së ardhmes”, theksoi ai.

Yakin komentoi edhe ekipin e Kosovës, duke vlerësuar ndryshimet në stilin e lojës.

“Kosova ka pasur ndryshime në sistem dhe me lojtarët e rinj ka bërë hapa përpara.

E kanë siguruar ‘play-off’-in dhe këtë e kanë merituar plotësisht”.

Ai shtoi se Zvicra do të jetë e përqendruar maksimalisht në të dy fazat e lojës.

“Nesër do të jemi të fokusuar në mbrojtje, por njëkohësisht do të kërkojmë të shënojmë gola kundër Kosovës,” përfundoi Yakin.


Shtuar 17.11.2025 17:50