Para përballjes me Granit Xhakën, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, e ka vlerësuar lartë lojtarin e Sanderlendit, i cili rikthehet të përballet me ish skuadrën e tij.
“E adhuroj çdo minutë që kaluam së bashku. Kur u bashkova me skuadrën, do të thoja se Graniti ishte në një moment të vështirë në jetën dhe karrierën e tij. Aq sa të gjithë ne, u përpoqëm ta udhëzonim, t’i jepnim një perspektivë të ndryshme dhe ta bënim të ndihej i dashur dhe i vlerësuar. Mund të them pa frikë se ai u përgjigj në një mënyrë të jashtëzakonshme”, tha spanjolli.
Ai guxoi edhe të pranonte dicka në lidhje me raportin që kishte me shqiptarin e Zvicrës: “Xhaka më bëri edhe mua një trajner më të mirë, na ndihmoi të zhvilloheshim dhe të përmirësoheshim shumë si ekip futbolli dhe si klub. Prandaj do t’i jem përjetësisht mirënjohës, sepse kam kujtime të shkëlqyera me të”, deklaroi Arteta.
