Topi i Champions-it 25 vjet histori! Versioni i 2026-ës prezantohet nga Zidane, Messi e Yamal

Rikthim në të kaluarën për të celebruar 25 vitet e topit më të famshëm në botë. Sfera e ëndrrave të Champions League, në fusha nga 2001-shi, do të hapë një kapitull të ri, me ridizenjimin modern të origjinalit Adidas FINALE 1.

Rikthim në të kaluarën me grafikën dhe ngjyrat që njihen tashmë prej një çerek shekulli, por edhe me një efekt modern, me sfumatura të zeza dhe vjollcë, që ndryshojnë.

Topi do të përdoret gjatë dy javëve të fundit të fazës së kampionatit 2025/26 të Champions League, që starton të martën e 20 janarit.

Yjet e futbollit janë gjithmonë në fokus. Në spotin zyrtar të Adidas marrin pjesë disa nga lojtarët që kanë lënë shenjë në rrugëtimin e kupës me veshë të mëdhenj gjatë 25 viteve të fundit: Zinedine Zidane, Lionel Messi, Toni Kroos, Mo Salah, Ousmane Dembele dhe Lamine Yamal.