Topi i Artë 2025 / Kush janë favoritët dhe si përcaktohet fituesi?

Deri në një moment të caktuar të këtij viti, çmimi Topi i Artë dukej si një garë e hapur, me emra si Mohamed Salah, Raphinha, Lamine Yamal, apo edhe Ousmane Dembélé që përmendeshin si pretendentë të mundshëm.

Fundi i sezonit në Champions League, megjithatë, ka rritur ndjeshëm shanset për disa lojtarë, përfshirë vetë Dembélén, ndërsa të tjerë — për shembull, lojtarët e Interit — kanë parë shpresat e tyre të zbehen pas një finale të zhgënjyeshme.

Por kush vendos se kush e fiton trofeun më prestigjioz individual në futbollin botëror?

Topi i Artë jepet çdo vit nga revista prestigjioze France Football, dhe fituesi përzgjidhet përmes një sistemi votimi të dyfishtë:

Lista fillestare me 30 kandidatë përgatitet nga gazetarët e “France Football” dhe “L’Équipe”, bazuar në performancat individuale dhe ekipore gjatë sezonit të kaluar.

100 gazetarë ndërkombëtarë, secili përfaqësues i një prej 100 vendeve më të larta në renditjen e FIFA-s, votojnë për 10 lojtarët e tyre të preferuar.

Pikët shpërndahen në këtë mënyrë:

15 pikë për vendin e parë, 12 për të dytin, 10, 8, 7, 5, 4, 3, 2 dhe 1 për pozicionet pasuese

Në rast barazimi pikësh, përcaktues është numri i votave për vendin e parë. Nëse barazia vazhdon, shikohet renditja për vendin e dytë, e kështu me radhë.

Tre kriteret kryesore për votim janë:
Performanca individuale – duke përfshirë karizmën dhe personalitetin në fushë, Kontributi në suksesin e ekipit, Klasi dhe loja e ndershme

Ndërsa sezoni mbyllet dhe Kupat Ndërkombëtare afrohen, gara për Topin e Artë 2025 sapo ka filluar të marrë formë, por mbetet e hapur dhe e paparashikueshme.


Shtuar 2.06.2025 20:01