Futbolli brazilian i ka të gjitha, ku nuk mungojnë edhe rastet ekstreme me përfundim fatal. Tragjedia e radhës në Brazil ka të bëjë me vrasjen e futbollistit 21-vjeçar, Felipe Diogo.
Mediat braziliane kanë raportuar se lojtari i Sao Bernardo, gjatë kohës po kthehej nga pushimet, është qëlluar për vdekje në një rrugë në qytetin e tij të lindjes, Ribeirao Preto.
“Ge.globo” raportoi se futbollisti u qëllua me 10 plumba dhe përpos ndihmës së parë mjekësore në sipal, nuk arriti që të mbijetojë, duke humbur jetën.
Policia vendase po heton motivin e vrasjes, ndërsa klubi i tij, që militon në Kategorinë e Tretë të Brazilit, ka shprehur pikëllimin dhe ngushëllimin për humbjen e sulmuesit Diogo.
“Klubi i futbollit, Sao Bernardo, shpreh pikëllimin e tij për vdekjen e futbollistit tonë, Felipe Diogo Bernardes Ferreira, i njohur si Felipe Diogo. Zoti ngushëlloftë zemrat e familjes së tij në këtë moment dhimbjeje të thellë”. Ky ishte njoftimi i bërë nga klubi për lojtarin e vrarë me armë.