Në sfidën mes Kukësit dhe Partizanit në “Kukës Arena” u godit sulmuesi i demave, Tedi Cara me shishe nga tifozët vendas.
Lojtari teksa festonte golin e shënuar në minutën e 16-të, u godit nga një shishe në fytyrë, dëmtim që e detyroi sulmuesin të linte fushën e lojës për t’iu drejtuar spitalit për të mjekuar plagën e marrë.
Një veprim të tillë e ka dënon edhe skuadra e Kukësit, e cila nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale u ka kërkuar falje Partizanit dhe Carës për ngjarjen e ndodhur, ndërsa shprehet se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me policinë për të gjetur autorin e këtij incidenti.
“FK Kukësi dënon ashpër ngjarjen e ndodhur sot në “Kukës Arena”, aty ku tifozët tonë goditën sulmuesin e Partizanit, Tedi Cara i cili pësoi dëmtim të konsiderueshëm në kokë. Klubi i Kukësit distancohet nga kjo ngjarje e turpshme e tifozerisë dhe i kërkon falje sulmuesit Cara dhe klubit të Partizanit e njëkohësisht i uron shërim të shpejtë lojtarit.
Futbolli është një sport për të bashkuar dhe në një qytet si Kukësi që karakteristikën kryesore ka mikëpritjen, sjellje të tilla nuk kanë hije.
Klubi i Kukësit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente duke iu ardhur në ndihmë me pamjet filmike të stadiumit që të japin dënimin sipas ligjeve për autorin e këtij incidenti”, ka shkruar klubi verilindorë.