Tifozët e Atl Madrid dalin kundër rikthimit të Griezmann

Në ditën e fundit të merkatos, Antoine Griezmann është bërë sërish lojtar i Atleticos së Madridit. Diçka që dy vite më parë, kur francezi bëri gjithçka për t’u transferuar te Barcelona, dukej vërtet e paimagjinueshme. Aventura e tij në “Camp Nou” rezultoi një katastrofë: probleme me ambientimin që nga dita e parë, një publik që i ngarkoi përgjegjësinë e mosrealizimit të kthimit të Neymarit dhe një raport i komplikuar me Messin.

Tani që argjentinasi shkoi në Paris, mund të pritej diçka më shumë, por ndodhi e kundërta. Barcelona e ka shitur lirë, pasi 10 milionë eurot e huazimit dhe 40 milionë të tjera të detyrimit të blerjes që ka Atletico nuk mbulojnë as 1/3  e shumës që u shpenzua për të. Por rroga prej 17 milionë eurosh, që pas 3 vitesh qëndrimi do të bëhej 20, peshonte shumë për arkat “blaugrana”. Për këtë arsye, erdhi dhe rikthimi i bujshëm, me futbollistin që kërkon sërish qetësinë që i ka munguar në një ambient ku më parë është ndier mirë.

Problemi është se, siç tregojnë dhe reagimet në postimin zyrtar të Atleticos në rrjetet sociale, tifozët nuk e kanë pritur aspak mirë këtë rikthim.

Sigurisht që ka dhe ata që i gëzohen faktit se do të shohin sërish një kampion si francezi në “Wanda Metropolitano”, por ndërkohë nuk kanë munguar dhe shumë zëra kritikë. Në mesazhet e tifozëve evidentohet se shumëkush e konsideron një tradhtar, për mënyrën se si u largua nga Atletico dhe është e lehtë të imagjinohet se rikthimi para publikut “Los Colchoneros” nuk do të jetë i lehtë për Griezmannin, që do t’i duhet të rifitojë sërish dashurinë e tifozëve në fushë.


Shtuar 1.09.2021 19:18