Një konsorcium investues nga Gjermania, ku përfshihen edhe futbollistët e njohur Thomas Muller, Mats Hummels, Yann Sommer dhe Lucas Hernandez, ka marrë 90 për qind të aksioneve të klubit portugez Estrela da Amadora.
Vlera e transaksionit është 40 milionë euro, një shifër që përbën shitjen më të kushtueshme të një SAD-i, shoqëri aksionare sportive në futbollin portugez.
Të lidhura
None found
Investimi drejtohet nga fondet ADvantage dhe LEAD, të mbështetura nga KI Group. Në këtë strukturë bëjnë pjesë edhe katër futbollistët si investitorë strategjikë.
Klubi bëri të ditur se aksionarët e rinj përfaqësojnë përvojën në sport, financë dhe teknologji, ndërsa grupi strategjik përfshin figura të lidhura me futbollin ndërkombëtar, mes tyre Thomas Muller, Mats Hummels, Yann Sommer dhe Lucas Hernandez.
Ndryshimi i pronësisë do të sjellë edhe një drejtues të ri në krye të klubit. Johannes Mosmang, sipërmarrës gjerman 35-vjeçar, do të emërohet president i Estrela da Amadoras, duke zëvendësuar Paul Lop, i cili e mbajti këtë detyrë që nga viti 2020.
Mosmang u shpreh se Estrela Amadora është një klub me histori, lidhje të forta me Amadorën dhe një komunitet të përkushtuar. Ai tha se investitorët synojnë të nisin një etapë të re dhe të krijojnë me kujdes e qëndrueshmëri një projekt që të përfaqësojë tifozët, komunitetin dhe të gjithë familjen e Estrela-s.
Estrela da Amadora, në formën e saj aktuale, u krijua në vitin 2020 pas bashkimit të Clube Desportivo Estrela me Clube Sintra Football.
Brenda vetëm gjashtë vitesh, skuadra ka përshkuar me shpejtësi nivelet e futbollit portugez. Klubi kaloi nga Campeonato de Portugal, niveli i katërt, në Primeira Liga, ku merr pjesë që prej vitit 2023.
Me mbështetjen e investitorëve të rinj dhe me futbollistë të njohur evropianë si bashkëpronarë, Estrela da Amadora synon të zhvillojë një projekt më ambicioz në elitën e futbollit të Portugalisë.
